Pas vendimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës për dënimin e ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës dhe ish-drejtuesit të UÇK-së, Kadri Veseli, me 18 vjet burgim, ka reaguar avokati i tij, Rodney Dixon.
VAZHDO LEXIMIN ME POSHTE!
Dixon ka deklaruar se ekipi mbrojtës i Veselit nuk pajtohet me vendimin e marrë nga Dhomat e Specializuara.
Sipas tij, gjatë procesit gjyqësor nuk është dëshmuar në mënyrë të mjaftueshme përgjegjësia penale e Kadri Veselit.
Avokati ka theksuar se mbrojtja gjatë gjithë procesit ka ngritur çështjen e mungesës së provave që, sipas tij, do ta lidhnin Veselin me veprat për të cilat është akuzuar.
“Gjatë gjithë procesit gjyqësor, ne kemi theksuar qartë mungesën e provave për përfshirjen e tij në ndonjë rrëmbim, ndonjë vrasje apo në ndonjë aktivitet kriminal”, ka deklaruar Dixon.
Ai ka shprehur gjithashtu qëndrimin e tij kritik ndaj vendimit të shpallur në Hagë.
Dixon e ka cilësuar këtë si një ditë jo të mirë për Kosovën, duke përmendur gjithashtu sundimin e ligjit dhe drejtësinë ndërkombëtare.
“Nuk është një ditë e mirë për Kosovën. Nuk është një ditë e mirë për sundimin e ligjit apo për drejtësinë ndërkombëtare”, ka thënë avokati i Veselit.
Pas shpalljes së vendimit, Dixon ka bërë të ditur se mbrojtja do ta shqyrtojë me kujdes aktgjykimin e dhënë nga gjykata.
Sipas tij, ekipi mbrojtës do të analizojë aktgjykimin, i cili është i gjatë, me qëllim që të përgatisë hapat e mëtejshëm juridikë.
Dixon ka deklaruar se mbrojtja synon të përgatisë një ankesë dhe të vazhdojë përpjekjet për të dëshmuar pafajësinë e Kadri Veselit.
“Prandaj, ne do ta shqyrtojmë me shumë kujdes këtë aktgjykim të gjatë që sapo kemi marrë, në mënyrë që të përgatisim një ankesë të fuqishme dhe të vazhdojmë luftën tonë për të dëshmuar pafajësinë e z. Veseli dhe për ta sjellë atë në shtëpi”, ka deklaruar Dixon, raporton Klankosova.tv.