Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë reaguar pas shpalljes së aktgjykimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit tha se Uashingtoni respekton vendimin e gjykatës.
“Ne e respektojmë aktgjykimin e sotëm të Dhomave të Specializuara të Kosovës”, thuhet në reagimin e DASH-it.
SHBA theksoi gjithashtu mbështetjen për drejtësinë për viktimat dhe familjet e tyre, si dhe për parimet e llogaridhënies, procesit të rregullt ligjor dhe sundimit të ligjit.
Në deklaratë, Uashingtoni u bëri thirrje të gjitha palëve që të respektojnë vendimin dhe të shmangin retorikën nxitëse.
“U bëjmë thirrje të gjitha palëve që ta respektojnë vendimin e gjykatës, të shmangin retorikën nxitëse dhe të vazhdojnë të punojnë drejt një të ardhmeje paqësore dhe demokratike”, deklaroi zëdhënësi.
Aktgjykimi i shkallës së parë u shpall më 16 shtator. Sipas Dhomave të Specializuara, çështja ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit lidhej me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Vendimi ka sjellë reagime të shumta në Kosovë dhe në rajon, ndërsa palët kanë të drejtë ta apelojnë vendimin.