“Dridhet” Drenica – Sami Lushtaku bën veprimin e madh

Në prag të verdiktit të Gjykatës Speciale për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë filluar organizimet për pritjen e vendimit.

 

Disa komuna të Kosovës kanë njoftuar se sonte do të organizojnë tubime në sheshet e qyteteve të tyre.

Qytetarët pritet të mblidhen së bashku për të pritur vendimin e Hagës, në një atmosferë solidariteti me ish-krerët e UÇK-së.

 

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, ka ftuar sonte qytetarët që të mblidhen në Sheshin “Adem Jashari” në Skenderaj.

“Sonte, në Sheshin “Adem Jashari” në Skenderaj, duke filluar nga ora 20:00, mblidhemi në pritje të vendimit të nesërm ndaj krerëve të UÇK-së në Hagë. Ftoj bashkëluftëtarët, familjet e dëshmorëve, veteranët dhe të gjithë qytetarët e Skenderajt që sonte të jemi bashkë, unik dhe të palëkundur në mbështetje të çlirimtarëve tanë!”, ka shkruar ai në profilin e tij në Facebook.

Edhe Çlirim Haziri, djali i veprimtarit dhe dëshmorit të kombit Xhavit Haziri, u ka bërë thirrje qytetarëve që sonte të mblidhen në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë dhe ta presin së bashku mëngjesin e 16 shtatorit.

Në profilin e tij në Facebook, Haziri ka bërë të ditur se sonte do ta kalojë natën në shesh, në pritje të verdiktit për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.

“Si djali i Xhavit Hazirit, pritjen e njoh mirë. Jam rritur me të. Unë dhe familja ime presim edhe sot e kësaj dite”, ka shkruar ai.

Ai ka thënë se dëshiron që kjo natë të mos kalohet secili veçmas, por bashkë, si qytetarë të bashkuar nga lufta e drejtë e UÇK-së.

“Të rrimë bashkë sonte dhe ta zbardhim mëngjesin në shesh, në pritje të lirisë për çlirimtarët tanë”, ka shkruar Haziri.

Sipas tij, vendimi i 16 shtatorit nuk lidhet vetëm me fatin e katër ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, por prek edhe historinë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të vetë Kosovës.

Postimi i Hazirit është shpërndarë nga shumë zyrtarë të PDK-së, duke treguar se sonte do të jenë në shesh.