Prishtinë – Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, pritet të zhvillojnë së shpejti një takim për të diskutuar mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje të re politike, në kuadër të përpjekjeve për të zgjidhur çështjen e zgjedhjes së presidentit të Republikës së Kosovës.
Sipas burimeve të Gazeta Minuti, takimi Kurti–Abdixhiku është duke u planifikuar dhe në qendër të diskutimeve pritet të jetë mundësia për një kandidaturë të re për president, pas zhvillimeve të fundit dhe tërheqjes së Bekim Sejdiut nga gara.
Burimet bëjnë me dije se në këtë takim, Abdixhiku pritet t’ia propozojë Kurtit emrin e deputetit të LDK-së, Anton Quni, si kandidat të mundshëm për president të Kosovës.
Sipas këtyre burimeve, emri i Qunit po shihet si një alternativë që mund të krijojë hapësirë për një marrëveshje të re ndërmjet LVV-së dhe LDK-së, në një kohë kur partitë politike janë përballur me vështirësi për sigurimin e mbështetjes së nevojshme parlamentare për zgjedhjen e presidentit.
Takimi i mundshëm mes Kurtit dhe Abdixhikut mund të jetë vendimtar për zhvillimet e ardhshme politike, pasi një marrëveshje eventuale për kandidatin presidencial do të mund të hapte rrugë edhe për një bashkëpunim më të gjerë institucional ndërmjet dy subjekteve.
Anton Quni, i cili ka qenë një nga figurat e njohura të LDK-së dhe deputet i kësaj partie, tashmë mund të jetë emri që do të vendoset në qendër të negociatave të reja.
Megjithatë, deri në këto momente nuk ka konfirmim zyrtar nga LVV-ja apo LDK-ja për një marrëveshje të tillë, ndërsa takimi Kurti–Abdixhiku dhe propozimi i emrit të Qunit mbeten pjesë e zhvillimeve që pritet të marrin formë në orët në vijim.
Gazeta Minuti do t’i ndjekë nga afër zhvillimet dhe çdo informacion të ri lidhur me negociatat për presidentin e ardhshëm të Kosovës.