A do të shpallet vendimi në ora 10:00? Gazetarja zbulon çfarë pritet të ndodhë në Hagë

Më 16 shtator, në ora 10:00, në Hagë është caktuar shpallja e aktgjykimit të shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Seanca do të jetë publike dhe do të transmetohet në gjuhën shqipe, angleze dhe serbe.

 

Megjithatë, procesi i shpalljes së vendimit mund të zgjasë dhe ora e paraparë nuk nënkupton domosdoshmërisht se brenda pak minutash do të bëhet e ditur përfundimisht se çfarë ka vendosur trupi gjykues. Para se të komunikohet vendimi, gjykata zhvillon procedurën e paraparë për shpalljen e aktgjykimit dhe paraqitjen e përfundimeve të saj.

 

Në një dalje televizive, gazetarja e Klan Kosovës ka lënë të kuptohet se në rast se procedurat paraprake zgjasin, shpallja e pjesës përfundimtare të vendimit mund të vijë pak më vonë se ora 10:00. Megjithatë, Gjykata Speciale zyrtarisht ka caktuar orën 10:00 si fillimin e seancës së shpalljes së aktgjykimit.

Aktgjykimi i 16 shtatorit pritet të përcaktojë nëse Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi do të shpallen fajtorë apo të pafajshëm për akuzat që lidhen me krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Prokuroria ka kërkuar dënime prej deri në 45 vjet burgim për secilin prej tyre.