E çuditshme! Deputeti i LDK-së propozohet për President!

Marrëveshja mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për Bekim Sejdiun mbetet praktikisht e pazbatueshme, pasi nuk ekzistojnë vota të mjaftueshme për zgjedhjen e tij. Në dritën e këtyre zhvillimeve, Gazeta Nacionale ka mësuar nga burime të mirëinformuara se në bisedimet politike ka nisur të qarkullojë edhe një emër tjetër nga LDK-ja: Anton Quni – vetëm tri ditë para se Dhomat e Specializuara në Hagë të shqiptojnë aktgjykimin në procesin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

 

Bekim Sejdiu mbetet kandidati rreth të cilit janë marrë vesh kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, dhe ai i LDK-së, Lumir Abdixhiku. Por kundërshtimi i gjashtë deputetëve të LDK-së, si dhe refuzimi i PDK-së dhe AAK-së për t’iu bashkuar marrëveshjes, e kanë lënë zgjedhjen e tij larg të qenit punë e kryer. Gjashtë deputetët e LDK-së që kanë dalë kundër janë Hykmete Bajrami, Avdullah Hoti, Arben Gashi, Armend Zemaj, Kujtim Shala dhe Janina Ymeri.

 

Pikërisht në këtë situatë, burime të mirëinformuara të Gazetës Nacionale bëjnë të ditur se në qarqe të ndryshme politike ka filluar të përmendet emri i Anton Qunit si një prej alternativave të mundshme nëse kandidatura e Sejdiut dështon.

Megjithatë, burimet e Nacionales bëjnë se Vjosa Osmani vazhdon të jetë e vendosur në mbështetje të Bekim Sejdiut dhe se, të paktën deri më tani, nuk ka hequr dorë nga përpjekja që ai të bëhet presidenti i ardhshëm.

Faton Peci ka qenë ai që e ka përmendur emrin e Qunit si mundësi për postin e presidentit, sipas burimeve.

Çështja merr peshë shtesë pas zhvillimeve në Kuvend sot.

Albulena Haxhiu e shpalli të konstituuar Legjislaturën XI të Kuvendit, ndonëse nënkryetari nga radhët e PDK-së nuk u zgjodh dhe kjo parti ka paralajmëruar se do ta kontestojë procesin në Gjykatën Kushtetuese.

Përmes një letre dyfaqëshe, kjo parti njoftoi tërheqjen e përkohshme të kandidaturës së Çitakut.

“Përmes kësaj shkrese, në emër të Partisë Demokratike të Kosovës, ju njoftojmë për tërheqjen e përkohshme të kandidaturës së znj. Vlora Çitaku për pozitën e nënkryetares së Kuvendit të Republikës së Kosovës”, thuhet në letër.

PDK-ja e paraqiti vendimin si pasojë të tejkalimit të afateve kushtetuese, jo si heqje dorë nga përgjegjësia institucionale. “Kushtetuta nuk i përcakton afatet si orientime politike dhe as si rekomandime që mund të respektohen ose të shpërfillen varësisht nga interesat e shumicës parlamentare”, thuhet në dokument.

Partia i referohet nenit 66 të Kushtetutës dhe paragrafit 140 të Aktgjykimit KO124/25. Sipas saj, konstituimi duhej të përfundonte brenda 30 ditëve.

Afati kishte përfunduar më 7 gusht, ndërsa partia e udhëhequr nga Bedri Hamza tha se nuk u respektua as zotimi publik për përmbylljen e procesit deri më 6 shtator.

PDK-ja bëri të ditur se mori pjesë në seancat e 9 dhe 11 shtatorit për shkak të rëndësisë së 16 shtatorit dhe procesit ndaj ish-krerëve të UÇK-së.