Vetëm pak orë pasi raportohet se është goditur nga dy të rinj, një kapiten i Policisë së Kosovës ka zgjedhur që përmes një postimi publik të shënojë 27-vjetorin e themelimit të Policisë së Kosovës.
Në mesazhin e tij, kapiteni ka vënë në pah sakrificën, përgjegjësinë dhe përkushtimin e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës ndër vite.
“27 VJET POLICI E KOSOVËS!”, ka shkruar ai, duke theksuar se 27 vite uniformë nënkuptojnë përgjegjësi, sakrificë dhe shërbim ndaj qytetarit, rendit, ligjit dhe Republikës.
Ai ka kujtuar edhe policët që kanë humbur jetën në krye të detyrës, duke shprehur nderim për familjet e tyre dhe duke kërkuar që sakrifica e të rënëve të mos harrohet.
“Nderim për çdo polic që ka mbajtur dhe mban me krenari uniformën e Policisë së Kosovës. Nderim për familjet që kanë përballuar dhimbjen më të madhe. Lavdi të rënëve në krye të detyrës!”, thuhet në mesazhin e tij.
Në fund, kapiteni ka uruar kolegët, qytetarët dhe partnerët e Policisë së Kosovës, duke theksuar se, pavarësisht ndryshimit të gjeneratave dhe uniformave, betimi për mbrojtjen e qytetarit dhe Republikës mbetet i shenjtë.
Postimi i tij vjen në një moment të veçantë, vetëm pak orë pas incidentit ku, sipas raportimeve, ai është sulmuar fizikisht nga dy të rinj.