Platforma “Liria Ka Emër”, e cila është angazhuar në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po përballen me procesin gjyqësor në Hagë, është bërë e njohur për aktivitetet dhe thirrjet e saj publike në mbështetje të tyre.
Përveç emrave që janë shfaqur publikisht si përfaqësues të platformës, grupi ideues dhe themelues përfshin personalitete nga fusha të ndryshme të artit, kulturës dhe jetës publike.
Në mesin e tyre janë Ismail Tasholli dhe Eliza Hoxha, të cilët janë përmendur publikisht si ideatorë të “Liria Ka Emër”. Të dy kanë qenë ndër zërat kryesorë të platformës në aktivitetet për mbështetjen e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.
Por pjesë e grupit themelues janë edhe emra që mund të befasojnë publikun. Në listë bëjnë pjesë regjisorja Burbuqe Berisha dhe fotografi Visar Kryeziu, duke e zgjeruar përbërjen e platformës përtej figurave të njohura të angazhimit publik.
Mes emrave të grupit ideues dhe themelues është edhe reperi Festim Arifi, i njohur për publikun si Lyrical Son, si dhe aktori e humoristi Fatmir Spahiu – Bufi. Dy emra të njohur të skenës kosovare, që tash shfaqen në listën e themeluesve të kësaj nisme.
Kështu, pas platformës që është angazhuar për mbështetjen e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë qëndrojnë personalitete me profile të ndryshme, nga politika e kultura deri te muzika, aktrimi dhe fotografia.
Per me shume shikojeni edhe me foto tek liria ka emer ne rrjetin social.