LDK-ja befason të gjithë me vendimin

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Doarsa Kica Xhelili, ka folur para mbledhjes së grupit parlamentar të kësaj partie, ku pritet të diskutohet edhe çështja e caktimit të seancës së re për zgjedhjen e presidentit të Kosovës, raporton Ekonomia Online.

 

Kica Xhelili ka thënë se situata sa i përket caktimit të seancës së re është komplikuar, duke theksuar se më herët ishte pranuar një afat fleksibil për shkak të paqartësive të krijuara nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese.

 

“Tani është shumë e komplikuar çështja e caktimit të seancës së re, sepse ju e keni parasysh që pavarësisht që afati kushtetues kishte kaluar në gusht, ne u patëm pajtuar që ta konsiderojmë një afat të ri për hir të paqartësive të cilat i kishte lënë vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Ato paqartësi kishin të bënin me mungesën e pasojave juridike dhe me faktin që Gjykata kishte vlerësuar që në emër të themelimit dhe funksionalizimit të institucioneve lejon të bëhen edhe disa, le të themi, improvizime, sepse fundja kjo kutia e Pandorës nga Gjykata Kushtetuese është hapur nga vendimet e kaluara. Për hir të krejt kësaj vendosëm ta pranojmë idenë e trajtimit të këtij afati fleksibil, por jo të një afati pas afatit”, tha ajo.

Duke folur për kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, Kica Xhelili ka kritikuar caktimin e një afati të ri përtej afatit të përcaktuar më herët.

“Çdo afatgjate sot po tejkalon një nuancë të mungesës së plotë të seriozitetit nga vetë zoti Kurti. Natyrisht unë po flas për veten, mendoj që fakti që ka caktuar një afat të ri përtej afatit që ai vetë ka determinuar tregon sa i pa vendosur ka qenë vetë ai për kandidimin e Bekim Sejdiut, sepse po ta kishte seriozisht kandidaturën, së paku më e pakta që do ta bënte ishte që të caktonte një seancë për brenda afatit që e kishte dhënë vetë. Kështu që për mua kjo vetëm flet për mungesën e seriozitetit dhe mungesën e qëllimit real dhe të sinqertë të tij për të zgjedhur vërtetë presidentin e Republikës së Kosovës”, tha ajo.

Deputetja e LDK-së ka thënë se, nga këndvështrimi i saj profesional, nuk e sheh të arsyeshme pjesëmarrjen në një seancë që, sipas saj, ka tejkaluar afatet kushtetuese.

“Unë vlerësoj që nuk kam hapësirë për mua si Doars, me gjithë njohuritë e mia juridike që i kam, të marr pjesë në një seancë e cila e ka kaluar çdo afat kushtetues. Jam shumë e gatshme dhe shumë e hapur ta dëgjoj vlerësimin e grupit parlamentar. Dua ta shoh leximin e tyre për këtë çështje. Unë e kam një lexim timin që për mua është krijuar në momentin që është tejkaluar edhe ky dy-tri ditësh shtesë dhe mendoj që nëse në çfarëdo momenti është krijuar vetëdija që mund të eksperimentohet tutje me afatet kushtetuese, kjo gjë duhet të përmbyllet tani. Por Doarsa, si gjithmonë, pavarësisht mendimeve që i ka pasur, gjithmonë ka qenë shumë mendjehapur në raport me mendimet e kolegëve. Por në opinionin tim profesional është krijuar një pamundësi goxha objektive për me marrë pjesë në seancën e radhës”, tha ajo.