Prokuroria e Tiranës ka kërkuar caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg” ndaj këngëtarit Jozefin Marku, i njohur si Jozi, dhe Kristjan Nikollit, të cilët janë arrestuar në lidhje me ngjarjen ku u përfshi 26-vjeçari Eduard Kuçi.Prokurori që po trajton çështjen ka dorëzuar të hënën në Dhomën Penale të Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës kërkesën për caktimin e masës së sigurisë ndaj dy të dyshuarve.
Sipas të dhënave të deritanishme, Jozefin Marku dyshohet për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”. Katër akuza të tjera të ngritura në kuadër të hetimeve ndaj tij janë ende në proces verifikimi nga organet
kompetente.Kristjan Nikolli, ndërkaq, dyshohet se ka drejtuar automjetin “Land Rover”, i cili sipas hetimeve është përdorur gjatë ngjarjes. Ndaj tij rëndojnë gjithashtu dyshimet për veprat penale “Përkrahje të autorit të krimit” dhe “Mbajtje pa leje dhe prodhim të armëve, bombave, minave dhe municionit”.
Gjatë kontrollit të kryer në banesën e Nikollit, Policia ka sekuestruar një sasi municioni. Autoritetet kanë sekuestruar gjithashtu automjetin “Land Rover”, i cili dyshohet se është përdorur gjatë incidentit me Edi Kuçin.
Sipas Policisë, Marku dhe Nikolli, në bashkëpunim me persona të tjerë që ende nuk janë identifikuar, dyshohet se janë përfshirë në incidentin ndaj 26-vjeçarit. Dyshimet e deritanishme lidhen me pretendimin se Kuçi kishte fyer këngëtarin në rrjetet sociale, ndërsa rrethanat e plota të rastit mbeten objekt i hetimeve.
Në kuadër të të njëjtit rast, Policia ka shpallur në kërkim edhe dy persona të tjerë, të identifikuar me inicialet A.H., 48 vjeç, dhe K.V., 27 vjeç. Hetimet po vazhdojnë edhe për identifikimin e personave të tjerë që dyshohet se kanë qenë të përfshirë në ngjarje.
Ndërkohë, Eduard Kuçi është intervistuar nga Policia lidhur me rastin. Materialet procedurale të mbledhura deri më tani i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për vazhdimin e procedurave dhe veprimeve hetimore.
Pas kërkesës së Prokurorisë, i takon Gjykatës të vendosë nëse ndaj Jozefin Markut dhe Kristjan Nikollit do të caktohet masa e sigurisë “arrest me burg”. Seanca për vlerësimin e masës pritet të zhvillohet me dyer të mbyllura, brenda afatit të paraparë procedural.
Kërkesa e Prokurorisë për “arrest me burg” nuk përbën vendim përfundimtar për fajësinë e dy të dyshuarve. Përgjegjësia eventuale penale e tyre do të përcaktohet gjatë procedurave të mëtejshme gjyqësore.