Mehmeti: Kurti e Vuçiqi me hidropolitikë kundër Amerikës

Gjatë një mandati të plotë qeverisës, Albin Kurti me arrogancë të pashembullt e shkeli me thembër të këmbës njërën nga pikat më të hajrit të Marrëveshjes së Washingtonit. Ekspertët më të mirë amerikanë, në emër të

 

Departamentit të Energjisë në ShBA, kishin përgatitur një studim fizibiliteti për liqenin e Ujmanit. Vizioni amerikan ishte që Kosova, duke e optimizuar përdorimin e kësaj pasurie ujore, të siguronte edhe pavarësi energjetike nga Serbia e rajoni. Ashtu sikurse e zhbëu projektin ‘Kosova e Re’, Kurti i zhubrosi edhe rekomandimet e vyera amerikane. Në vend të kësaj, ai parapëlqeu të bënte populistin. Fshatarët kënaqeshin me heroin sovranist që po e ‘çlironte’ Ujmanin. Me asete të shtetit u organizuan farsa ku militantët e Vetëvendosjes, nën përcjelljen e Policisë, laheshin e bënin plazh në Ujman. Po krijohej mashtrimi i madh ku sovraniteti barazohej me të drejtën për t’u zdeshur në brekë e për t’i rënë not liqenit nga një breg në tjetrin. Kësisoj, shkurtpamësia e populistëve i ekspozoi të gjitha dobësitë e vulnerabilitetet e Kosovës përballë Serbisë. Zaten, Vuçiqi tani ngre kërcënimin se mund t’ia ndryshojë rrjedhën lumit Ibër e ta lërë Ujmanin si djerrinë. Nëse Kosova do ta kishte pas Washingtonin, siç qe ujdia më 2020, vendi sot do të ishte më i sigurt edhe për furnizim me ujë, edhe për furnizim me rrymë.

 

Col Mehmeti

11 gusht 2026 – Nga 2023-a, liqeni i Ujmanit ka qenë pellgu jetik në të cilin kryeministri Albin Kurti ka peshkuar populizëm me okë.

Pjesa më e madhe e farsave janë zhvilluar në pjesën veriore të Kosovës, aty ku ekziston lëndë e parë për politikë votash.

Imazheria e regjimit të Kurtit përbëhej gjithnjë nga fotoshkrepje e incizime në ujërat e Ujmanit, herë mbi urat e tij e herë me patrullime të Policisë mespërmes liqenit të gjatë njëzet e ca kilometra.

Ashtu siç është vënë re qëparë se ekziston një harmoni e shoqishojshme mes Kurtit dhe Vuçiqit, ujërat e këtij liqeni kanë shërbyer për ekzbicionizma herë nga njëra palë e herë nga tjetra.

Për çdo 19 janar, serbë lokalë hidhen në ujërat e ftohta akull të liqenit në atë që njihet si tradita ortodokse për kryqin e epifanisë (bogojavljenski krst).

Ndonëse i pashpallur si aktivitet zyrtar, Vetëvendosja çdo verë, tash e tre vjet, organizon ture militantësh e mbështetësish të saj bjerrakohës për t’u çplodhur në brigjet e liqenit.

Propagandë ku edhe shteti bëhej aktor

Kamerat e propagandës kujdesoheshin që të tejçonin mesazhin triumfalist sikur Kurti e çliroi liqenin dhe zboi çetat kriminale të Radojiçiqit.

Prapa skenave të këtyre organizimeve të partisë fshihej një realitet gati grotesk.

Derisa militantët laheshin e rreziteshin, sipër ure rrinin njësi të shtuara të Policisë së Kosovës.