Përparim Rama e “Dridhë” Vetëvendosjen me këtë dekalratë

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar ndaj akuzave të fundit të asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, duke i hedhur poshtë pretendimet e tyre dhe duke i cilësuar si të pavërteta mesazhet e publikuara në rrjetin social Snapchat.

 

Përmes një reagimi publik, Rama tha se materialet e publikuara ndaj tij janë të fabrikuara dhe nuk kanë lidhje me të vërtetën.

“Sinqerisht, ndjej keqardhje për Vetëvendosjen që ka mbet me bo politikë me Snapchat, me linçime në Facebook e me lajme të krijume me Inteligjencë Artificiale”, ka deklaruar ai.

Rama i cilësoi pretendimet si “të pavërteta, të fabrikuara dhe të gërditshme”, duke shtuar se debati politik nuk duhet të ndërtohet mbi, sipas tij, materiale të manipuluara dhe akuza të pabazuara.

Ai mohoi gjithashtu pretendimet që lidhen me procesin e legalizimit të pronave, duke theksuar se i gjithë dokumentacioni zyrtar ndodhet në institucionet përkatëse dhe mund të verifikohet nga kushdo.

“Ju ftoj që së bashku me mediat të vini në Drejtorinë e Kadastrit dhe në Drejtorinë e Urbanizmit. Shfletojini krejt lëndët. Faqe për faqe! Pastaj dilni para të njëjtit opinion publik dhe kallxoni drejt”, u shpreh Rama.

Kryetari i Prishtinës shtoi se, nëse verifikimi i dokumenteve dëshmon se akuzat nuk qëndrojnë, atëherë asamblistët e Vetëvendosjes duhet të kërkojnë falje publike.

“Nëse faktet i rrëzojnë pretendimet tuaja, atëherë kërkoni falje publikisht”, tha ai.

Në fund të reagimit, Rama theksoi se, pavarësisht përplasjeve politike, prioriteti i tij mbetet puna për qytetarët e Prishtinës dhe realizimi i projekteve komunale.

“Ne kemi punë për me kry për qytetarët e këtij shteti”, përfundoi kryetari i Prishtinës.

Deklarata e Ramës vjen pas akuzave të bëra nga përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës, duke thelluar përplasjet politike mes dy palëve.