Lidhja Demokratike e Kosovës ka shprehur shqetësim për mos-konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës brenda afatit të përcaktuar nga Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese.
Sipas LDK-së, një situatë e tillë rrezikon ta vendosë Republikën e Kosovës në një fazë të paqartësisë kushtetuese e mungesë të plotë të legjitimitetit institucional, dhe me pasoja të pariparueshme për funksionimin e rregullt të institucioneve dhe sigurinë juridike në vend.
“Qëndrimi i LDK-së ka qenë i qartë dhe konsistent gjatë gjithë këtij procesi, Kuvendi duhet të konstituohet brenda afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese. Ky qëndrim është paraqitur në çdo takim konsultativ, përfshirë edhe takimin e zhvilluar sot nga Kryetari i LDK-së” thuhet në reagim.
Lidhja Demokratike e Kosovës ka rikujtuar se zbatimi i aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese është detyrim kushtetues dhe se respektimi i tyre i plotë është në interes të funksionimit demokratik të Republikës.
“Prandaj, LDK i bën thirrje subjektit të parë parlamentar që, në përmbushje të përgjegjësive që i takojnë në këtë proces, të mundësojë mbajtjen e seancës së konstituimit sonte dhe përmbylljen e këtij procesi brenda afatit të përcaktuar nga Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese.
Mosthirrja e vazhdimit të seancës sonte, brenda afatit të përcaktuar nga Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, u pamundëson deputetëve ushtrimin e mandatit të tyre në përmbushje të obligimit kushtetues për konstituimin e Kuvendit, ashtu siç është përcaktuar m aktgjykimin e muajit qershor 2025” përfundon reagimi