Gani Geci: Kandidati i vërtetë për kreun e LDK-së nuk ishte as Përparim Rama e as Lutfi Haziri

Ish-deputeti i LDK-së, Gani Geci, ka bërë një deklaratë të fortë lidhur me zhvillimet e fundit brenda partisë, duke pretenduar se nisma për mbledhjen e nënshkrimeve për shkarkimin e kryetarit të LDK-së është shoqëruar me manipulim të emrave të disa figurave të njohura.

 

Sipas Gecit, bazuar në informacionet që ka marrë pas kuvendit, mbledhësit e nënshkrimeve nuk e kanë pasur asnjëherë si kandidat për kryetar të LDK-së kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama.

“Ata emrin e Përparim Ramës e kanë përdorur vetëm për qëllimet e tyre”, shkruan Geci.

 

Ai shton se as Lutfi Haziri nuk ka qenë në kombinim për këtë pozitë, ndërsa pretendon se Armend Zemaj dhe Florjan Dushi janë përdorur si “masha” në këtë proces.

Më tej, Geci thotë se kandidati i vërtetë për drejtimin e LDK-së ka qenë një person tjetër, të cilin, sipas tij, e ka njohur gjatë gjashtë apo shtatë viteve të fundit.

“Në këto 6-7 vite kam arritur ta njoh dhe e kam kuptuar se ishte njëfarë burri tinëzak që po rrinte si macë nën sini, duke pritur momentin për ta realizuar qëllimin e tij”, shprehet Geci në reagimin e tij. (INA)