Dalin detaje te hidhura se si babai plagosi te birin ne kete qytet te Kosoves

Një konflikt familjar në fshatin Savrovë të Suharekës ka përfunduar me të shtëna me armë zjarri, ku një 77-vjeçar dyshohet se ka plagosur djalin e tij 40-vjeçar.

Sipas informacioneve, ngjarja ka ndodhur pas një mosmarrëveshjeje që lidhej me raportet familjare. Dyshohet se 40-vjeçari kishte biseduar me djalin e xhaxhait të tij, gjë që e kishte revoltuar të atin, për shkak të marrëdhënieve të tensionuara që ai kishte me vëllain. Në kulmin e debatit, 77-vjeçari dyshohet se ka shtënë me armë zjarri në drejtim të djalit.

Pas incidentit, i dyshuari është barrikaduar në banesë dhe fillimisht ka refuzuar t’u dorëzohej autoriteteve. Pas negociatave me Policinë e Kosovës, ai është bindur të dalë nga shtëpia dhe është arrestuar.
Gjatë kontrollit në vendin e ngjarjes, policia ka sekuestruar një pistoletë, një karikator dhe pesë fishekë të kalibrit 9 milimetra.

I plagosuri fillimisht ka marrë trajtim në Qendrën Emergjente në Suharekë, ndërsa më pas është dërguar në Spitalin e Përgjithshëm të Prizrenit për trajtim të mëtejshëm.
Ndaj 77-vjeçarit është iniciuar procedurë penale nën dyshimin për veprat penale “Lëndim i lehtë trupor”, “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës” dhe “Përdorim i armës”.