Distancohet familja e Rron Gjinovcit

Familja Gjinovci ka reaguar publikisht pas pretendimeve që kanë qarkulluar ditët e fundit në opinion, sipas të cilave familja e Rron Gjinovcit kishte pritur si mysafir dhe klient në hotel kriminelin e luftës Željko Ražnatović, i njohur si Arkan.

 

Përmes një deklarate publike, Adnan Gjinovci, duke folur në emër të familjes Gjinovci, ka bërë të ditur se familja e tij distancohet nga qëndrimet dhe aktiviteti politik i Rron Gjinovcit, ndërsa ka mohuar çdo lidhje të trungut familjar Gjinovci me pretendimet e përmendura.

Sipas tij, çdo informacion apo aludim që është përmendur në lidhje me Arkanin nuk ka të bëjë me familjen Gjinovci, por, siç është shprehur ai, lidhet ekskluzivisht me anën e dajëve të Rron Gjinovcit.

 

“Sa u përket aludimeve apo informacioneve për lidhje me Arkanin, ato lidhen ekskluzivisht me anën e dajëve të Rronit dhe nuk kanë absolutisht asnjë lidhje me trungun, historinë apo emrin e familjes Gjinovci”, thuhet në deklaratën e Adnan Gjinovcit.

Ai ka kërkuar nga mediat dhe opinioni publik që të mos e përfshijnë familjen Gjinovci në debatet politike dhe në pretendime që, sipas tij, nuk kanë të bëjnë me historinë e saj.

“Kërkojmë nga mediat dhe opinioni publik që të mos e përbaltin emrin e familjes sonë për llogari të përplasjeve politike të ditës. Historia e familjes Gjinovci është e shkruar me mund e sakrificë për këtë vend dhe do të mbetet gjithmonë e tillë”, thuhet më tej në reagim.

Deklarata vjen pas diskutimeve dhe pretendimeve të shumta që kanë qarkulluar në rrjetet sociale dhe në debatet publike lidhur me të kaluarën e familjes së Rron Gjinovcit.

Deri në momentin e publikimit të këtij lajmi, nuk ka ndonjë vendim gjyqësor apo konfirmim zyrtar nga autoritetet kompetente që vërteton pretendimet e përmendura në opinion. Deklarata e Adnan Gjinovcit paraqet qëndrimin zyrtar të familjes së tij lidhur me këtë çështje.