Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) ka njoftuar se nga 27 korriku ka nisur zyrtarisht procesi i aplikimit për subvencionimin e teksteve dhe materialeve shkollore për nxënësit e arsimit fillor dhe të mesëm të ulët, përkatësisht për klasat 1 deri në 9.
Sipas njoftimit, aplikimi do të zhvillohet përmes platformës eKosova dhe do të mbetet i hapur për dy javë, deri më 9 gusht 2026. Përmes këtij subvencionimi, prindërit dhe kujdestarët do të përfitojnë mbështetje financiare për blerjen e teksteve dhe materialeve të nevojshme për vitin e ri shkollor.
Mjetet e subvencionimit do të transferohen drejtpërdrejt në xhirollogarinë bankare të prindit ose kujdestarit që aplikon. Për këtë arsye, MASHTI u bën thirrje aplikuesve që, para dorëzimit të kërkesës, të sigurohen se xhirollogaria bankare është aktive dhe se të dhënat personale në platformën eKosova janë të përditësuara.
Procesi i aplikimit u mundësohet edhe shtetasve të huaj me leje qëndrimi të përkohshme ose të përhershme në Republikën e Kosovës, nëse fëmijët e tyre ndjekin mësimin në institucionet arsimore të vendit.
Ndërkaq, për shtetasit e huaj që ende nuk posedojnë leje qëndrimi, por kanë fëmijë të regjistruar në shkollat e Kosovës, MASHTI ka bërë të ditur se do t’ia përcjellë Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit (ASHI) listën e rasteve përkatëse, me qëllim që t’u mundësohet qasja në platformën eKosova për aplikim.
Për këtë kategori, dokumentacioni i nevojshëm duhet të dërgohet në adresën elektronike libri@rks-gov.net.
Aplikimi sipas ciklit shkollor:
Klasat 1–5 – përmes formularit të dedikuar në platformën eKosova.
Klasat 6–9 – përmes formularit përkatës në platformën eKosova.
MASHTI rikujton se, bazuar në Udhëzimin Administrativ nr. 13/2016, nxënësit dhe prindërit kanë përgjegjësi për ruajtjen e teksteve shkollore. Në fund të vitit mësimor, librat duhet të kthehen në shkollë në gjendje të mirë.
Në rast se tekstet humbin ose dëmtohen si pasojë e pakujdesisë apo me dashje, prindi obligohet t’i zëvendësojë ose t’i kompensojë ato. Dorëzimi i teksteve bëhet te kujdestari i klasës pas përfundimit të vitit shkollor.
Të gjitha aplikimet do të verifikohen nga shkollat përkatëse përmes koordinatorëve të autorizuar, ndërsa për çdo paqartësi qytetarët mund të kontaktojnë MASHTI-n në adresën libri@rks-gov.net ose në numrin e telefonit +383 (0) 38 200 65 049.
Ministria u ka uruar të gjithë nxënësve një vit të suksesshëm shkollor, me dëshirën për mbarësi dhe rezultate sa më të mira në mësime.