Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka thënë se Kuvendi i LDK-së që do të mbahet të enjten është një moment i rëndësishëm për përcaktimin e drejtimit të ardhshëm të partisë.
Gashi, përmes një postimi, ka deklaruar se ky takim nuk duhet të shihet vetëm si një mbledhje statutare, por si një mundësi për të vendosur për vizionin dhe identitetin e LDK-së në vitet e ardhshme.
Ai ka bërë thirrje që në vendimmarrje të mbizotërojnë arsyeja, vizioni dhe interesat afatgjata të partisë, duke theksuar nevojën për një LDK me identitet të qartë, lidership të fortë dhe vlera të qëndrueshme.
“Vendimet që merren të enjten nuk janë vetëm për sot. Ato do të përcaktojnë mënyrën se si do ta bëjmë politikën, si do t’u shërbejmë qytetarëve dhe si do ta ndërtojmë besimin e ri te LDK-ja”, ka shkruar Gashi.
Sipas tij, Kosova ka nevojë për një LDK të fortë, ndërsa e ardhmja e saj varet nga vendimet që do të merren në këtë proces. /PodujevaSot