Në Shqipëri kanë nisur përgatitjet ligjore për adoptimin e euros, duke përfshirë në projektligjin e ri për Bankën e Shqipërisë dispozitat që rregullojnë funksionimin e saj pas hyrjes në Eurozonë.
Projektligji, aktualisht në fazën e konsultimit publik, përcakton se euro do të jetë njësia monetare e vendit pas anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe përmbushjes së kritereve të konvergjencës ekonomike, duke i dhënë Bankës së Shqipërisë përgjegjësinë për emetimin dhe qarkullimin e monedhës së përbashkët sipas standardeve evropiane.
Përveç stabilitetit të çmimeve, projektligji i delegon bankës mandate të qarta për stabilitetin financiar dhe politikën makroprudenciale, duke zgjeruar kompetencat mbikëqyrëse dhe duke rritur kapitalin e nënshkruar nga 2.5 miliardë në 6 miliardë lekë për të garantuar qëndrueshmërinë ndaj rreziqeve financiare.(INA)