Shala paralajmëron pas deklaratës së ministres serbe: Kjo nuk është gafë, por mesazh i rrezikshëm

Ministrja e Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale e Serbisë, Snezhana Paunoviq, ka nxitur reagime të shumta pas një deklarate të bërë në një intervistë për median serbe Kurir.

 

“Për të metat dhe budallallëkun tonë, nëse do të kisha qenë e lirë si Millosheviqi, do ta kisha pastruar etnikisht Kosovën në vitin 1998.”

Eksperti i sigurisë, Drizan Shala tha për “Bota sot”, se deklarata e ministres serbe Snezhana Paunoviq nuk mund të konsiderohet një gafë politike, por një mesazh shqetësues që, sipas tij, pasqyron vazhdimësinë e narrativave të periudhës së Millosheviqit.

 

Ai vlerësoi se retorika që justifikon spastrimin etnik cenon sigurinë rajonale dhe bie ndesh me vlerat e paqes dhe stabilitetit.

“Deklaratat e fundit të ministres serbe, Snezhana Paunoviq, nuk mund të trajtohen si një gafë politike apo si një mendim i izoluar nga realiteti institucional. Nëse një zyrtare e nivelit të lartë shpreh keqardhje që Kosova nuk është “spastruar etnikisht” gjatë luftës së viteve 1998–1999, kjo tejkalon kufijtë e retorikës politike dhe prek drejtpërdrejt themelet e sigurisë rajonale.

Nga perspektiva e sigurisë, deklarata të tilla dërgojnë një sinjal shqetësues se brenda një pjese të elitës politike në Serbi vazhdojnë të qarkullojnë narrativa që relativizojnë ose, në disa raste, glorifikojnë politikat e periudhës së Millosheviqit. Në vend që të ndërtohet besim, të promovohet pajtimi dhe të trajtohet e kaluara me përgjegjësi, rikthehen mesazhe që kujtojnë një nga periudhat më të errëta të historisë së Ballkanit.

Kosova, pas luftës, ka ndërtuar institucionet e saj mbi parimet e shtetit demokratik, mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe orientimit euroatlantik. Pavarësisht sfidave të shumta, ajo ka dëshmuar përkushtim ndaj rendit kushtetues, bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë dhe integrimit të komuniteteve. Pikërisht për këtë arsye, retorika që promovon ose justifikon spastrimin etnik nuk përbën vetëm një sulm verbal ndaj Kosovës, por edhe ndaj vlerave mbi të cilat është ndërtuar paqja dhe stabiliteti në rajon”,tha ai.

Shala shtoi se deklarata të tilla relativizojnë politikat e lidhura me krimet e luftës dhe rrezikojnë të normalizojnë gjuhën e urrejtjes.

Sipas tij, rikthimi i retorikës së viteve ’90 dëmton përpjekjet për pajtim dhe përbën kërcënim për sigurinë, stabilitetin dhe perspektivën evropiane të rajonit.

“Nga aspekti juridik dhe politik, deklarata të tilla mund të interpretohen si glorifikim ose relativizim i politikave të lidhura me një periudhë gjatë së cilës u kryen krime të rënda dhe shkelje masive të të drejtave të njeriut. Edhe në rastet kur nuk përbëjnë domosdoshmërisht vepër penale sipas legjislacionit përkatës, ato kontribuojnë në normalizimin e një gjuhe që bie ndesh me standardet demokratike dhe minon përpjekjet për pajtim.

Problemi nuk qëndron vetëm te fjalia e shqiptuar, por edhe te konteksti në të cilin ajo artikulohet. Ballkani Perëndimor mbetet një rajon ku tensionet etnike mund të instrumentalizohen për qëllime politike. Në periudha krizash të brendshme, retorika nacionaliste shpesh përdoret për të mobilizuar opinionin publik, për të zhvendosur vëmendjen nga problemet ekonomike dhe sociale, apo për të forcuar narrativa identitare.

Rikthimi i diskursit të viteve ’90 nuk është domosdoshmërisht rastësor. Ai mund të shihet si pjesë e një strategjie politike që synon të mbajë gjallë narrativat e konfliktit, duke e paraqitur të kaluarën përmes interpretimesh selektive dhe duke shmangur ballafaqimin kritik me përgjegjësitë historike. Një qasje e tillë nuk i shërben interesave afatgjata të qytetarëve të Serbisë dhe as stabilitetit të Ballkanit Perëndimor.

Paqja nuk ndërtohet mbi nostalgjinë për konfliktin, por mbi pranimin e fakteve, përgjegjësinë institucionale dhe respektin për dinjitetin e çdo viktime. Prandaj, çdo deklaratë publike që normalizon ose justifikon spastrimin etnik duhet të dënohet qartë, jo vetëm si një problem moral, por edhe si një kërcënim ndaj sigurisë, pajtimit dhe perspektivës evropiane të rajonit” – përmbylli ai për gazetën.