Sekretari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ilir Ferati, ka sqaruar arsyet e pjesëmarrjes së Vjosa Osmanit në takimin e zhvilluar mes kreut të LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
I pyetur nga gazetarët nëse kryesia e partisë e kishte autorizuar zonjën Osmani për ta përfaqësuar LDK-në në këtë takim, apo nëse ky ishte një vendim personal i kryetarit, Ferati u shpreh se përzgjedhja e ekipit është kompetencë e plotë e liderit të partisë.
“Kryetari Abdixhiku ka mandat të plotë të përfaqësimit të LDK-së dhe e merr këdo që e sheh të arsyeshme se mund t’ia plotësojë tavolinën e negociatave. Në këtë rast e ka marrë bartësen e listës, gjë që është absolutisht legjitime sepse ajo ka qenë – po e ritheksoj – e votuar prej Këshillit të Përgjithshëm, që është organ vendimmarrës mes dy kuvendeve”, deklaroi Ferati, përcjell Insajderi.
Sipas sekretarit të LDK-së, prania e Osmanit në bisedime nuk ka nevojë për autorizime të veçanta specifike, pasi pozita e saj si bartëse e listës dhe votimi nga Këshilli i Përgjithshëm i japin legjitimitet të plotë për të qenë pjesë e proceseve negociuese të udhëhequra nga kryetari Abdixhiku.
Mes tjerash, ai është shprehur se “Zonja Osmani është prezente në zyrë të LDK’së në baza ditore. Ka qenë bartëse e Listës së LDK’së“./Insajderi