Deklaratat e ministres serbe, Snezhana Paunoviq janë skandaloze dhe krejtësisht të papranueshme, ndërsa pohimi i saj se do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën përbën një mbështetje të hapur për dëbimin e detyruar, përndjekjen dhe krimet kundër njerëzimit, deklaroi sot sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike Evropiane (EDP) dhe deputeti në Parlamentin Evropian, Sandro Gozi.
Gozi tha se ministrja e Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale në Qeverinë e Serbisë i referohet dhe legjitimon pikërisht politikat për të cilat Slobodan Millosheviqi u akuzua para Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë dhe për të cilat u dënuan zyrtarë të lartë serbë dhe jugosllavë.
“Në çdo demokraci të bazuar në sundimin e ligjit, deklarata të tilla do të ishin të papajtueshme me ushtrimin e një funksioni publik. Presidenti (i Serbisë), Aleksandar Vuçiq, duhet t’i dënojë pa asnjë mëdyshje këto deklarata dhe të sigurojë shkarkimin e saj të menjëhershëm”, thuhet në deklaratën e Gozit.
Ai shtoi se Serbia nuk mund të pretendojë me besueshmëri se është e përkushtuar ndaj anëtarësimit në Bashkimin Evropian, përderisa anëtarët e qeverisë së saj ringjallin retorikën dhe ideologjinë e epokës së Millosheviqit.
“Respektimi i vlerave evropiane fillon me refuzimin e gjuhës së spastrimit etnik – pa asnjë ekuivok apo justifikim”, përfundon deklarata.
Ministrja Paunoviq kishte deklaruar më herët gjatë ditës së sotme, në një intervistë në televizionin Kurir, se “po të ishte ajo në vend të Slobodan Millosheviqit, do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën në vitin 1998”.
Disa parti opozitare kanë kërkuar dorëheqjen e Paunoviqit për shkak të kësaj deklarate.