Lajmet e qarkulluara përgjatë ditëve të fundit nëpër rrjetet sociale dhe media se këngëtarja Xhensila Myrtezaj është nën hetim nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kanë sjellë dhe një reagim të detyruar nga vetë ajo.
Përmes një deklarate publike të shpërndarë në rrjetet e saj sociale, Myrtezaj sqaron se asnjë lajm nuk është i vërtetë dhe se ajo nuk është subjekt i asnjë hetimi nga organi i Posaçëm.
Duke paralajmëruar se do ta ndjekë këtë çështje në rrugë ligjore, këngëtarja shton ndër të tjera se lajmet “e pavërteta”, ashtu sikurse ajo i cilësoi, të cilat janë bërë publike së fundmi kanë dënuar figurën, dinjitetin dhe reputacionin e saj.
Reagimi i plotë:
“DEKLARATË PUBLIKE! Portalet dhe faqet që kanë publikuar ose shpërndarë lajme të pavërteta duke përfshirë emrin tim kanë keqinformuar opinionin publik.
Sqaroj qartë se nuk jam subjekt i asnjë hetimi nga SPAK. Çdo pretendim në të kundërt është i rremë, i pabazuar dhe cenon figurën, dinjitetin dhe reputacionin tim.
I bëj thirrje të gjitha mediave dhe portaleve të verifikojnë faktet përpara publikimit. Çdo shpifje apo informacion i pavërtetë që dëmton reputacionin tim do të ndiqet me të gjitha mjetet ligjore.