Detaje të reja dhe tronditëse dalin në dritë nga krimi i rëndë familjar që tronditi qytetin e Shkodrës pak pas mesditës së sotme, ku burri qëlloi me armë gjahu bashkëshorten e tij, duke e lënë të vdekur në vend. Një nga të afërmet e familjes, Zoj Nika, ka folur mes lotësh për mediat, duke treguar se mes çiftit nuk kishte pasur kurrë konflikte të mëparshme dhe se ata njiheshin si njerëz të urtë e pa probleme në zonë.
Ajo u shpreh se autori ishte një njeri i ndershëm dhe se askush në lagje nuk kishte dëgjuar ndonjëherë një fjalë të keqe prej tyre, duke e cilësuar ngjarjen si një fat të zi për familjen dhe mbi të gjitha për fëmijët e mbetur jetimë. Të afërmit e çiftit shtuan se kishin qenë vizitorë të shpeshtë në shtëpinë e tyre dhe kurrë nuk kishin dëshmuar debate apo shenja dhune që mund të paralajmëronin këtë fund tragjik.
Ngjarja e rëndë shënohet të ketë ndodhur rreth orës 13:30, në lagjen “Mark Lula”, përgjatë Unazës Lindore të qytetit të Shkodrës. Menjëherë pas alarmit të dhënë, forcat e policisë kanë mbërritur në vendngjarje dhe kanë bërë të mundur arrestimin në flagrancë të autorit të krimit. Po ashtu, efektivët kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale edhe armën e gjahut me të cilën u krye vrasja, ndërsa grupi hetimor po punon intensivisht për të zbardhur shkaqet e plota që çuan në këtë tragjedi të rëndë.