Rama zgjeron “listën e zezë” të protestës: Pas Ikballes, ndalon në kufi deputetët shqiptarë nga Maqedonia e Veriut

Kush mbështet protestën, shpallet “non grata”/ Pas Kosovës, Rama përplasje edhe me Maqedoninë e Veriut

 

Protesta qytetare kundër qeverisë ka hyrë sot në ditën e 39, por paralelisht duket se po ashpërsohet edhe reagimi i institucioneve ndaj kujtdo që shfaq mbështetje për të.

Fillimisht ishte aktivistja nga Kosova Ikballe Huduti, e cila u sulmua publikisht nga kryeministri Edi Rama si e lidhur me regjimin iranian. Vetëm pak orë më vonë, ministri i Brendshëm Besfort Lamallari firmosi urdhrin që e shpalli “person të padëshiruar” për 15 vjet, duke i ndaluar hyrjen në Shqipëri.

Tani një tjetër episod ka ndezur debat.

 

Sipas televizionit TV21, në pikën kufitare të Qafë Thanës janë ndaluar koordinatori i grupit parlamentar të VLEN-it Bekim Qoku, deputeti Adnan Azizi dhe zëvendëssekretari i përgjithshëm i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut Hasim Murtezani.

Tre zyrtarët deklarojnë se janë mbajtur për rreth një orë pa marrë asnjë shpjegim, megjithëse udhëtonin me pasaporta diplomatike. Më pas, sipas tyre, u është komunikuar se nuk mund të hynin në Shqipëri.

Sipas raportimit të TV21, masa lidhet me dyshimet se ata kanë mbështetur ose kanë qenë të përfshirë në organizimin e protestave qytetare në Tiranë, të njohura si “Revolucioni Flamingo”.

Ngjarja vjen vetëm pak ditë pasi Edi Rama hapi një debat të fortë mbi pjesëmarrjen e shqiptarëve nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut në protestat kundër qeverisë.

Kryeministri hodhi poshtë përdorimin e termit “diasporë” për shqiptarët që vijnë nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut për të protestuar në Tiranë, ndërsa më pas edhe zyrtarë të Partisë Socialiste u përfshinë në të njëjtën linjë.

Deputeti socialist Ulsi Manja deklaroi se “nuk ka hajvanllëk më të madh se sa të vish nga Kosova për të rrëzuar qeverinë në Tiranë”, duke kërkuar madje që institucionet e Kosovës të distancoheshin nga protestuesit.

Ndërkohë, prej javësh vetë Rama ka ndërtuar narrativën se pas protestës fshihen interesa të huaja. Fillimisht u hodhën akuza për ndikim iranian, më pas nisi identifikimi publik i disa protestuesve, ndërsa rasti i Ikballe Hudutit u shoqërua edhe me masën më të rëndë administrative, shpalljen e saj “person i padëshiruar”.

Në të njëjtën kohë, organizatorët e protestës kanë denoncuar vazhdimisht se pjesëmarrësit fotografohen dhe identifikohen gjatë tubimeve, ndërsa disa protestues janë proceduar nga policia.

Brenda pak ditësh është krijuar një zinxhir zhvillimesh që lidhen me të njëjtën çështje: fillimisht shpallja “non grata” e Ikballe Hudutit, ndërsa tani ndalimi në kufi i tre zyrtarëve të lartë nga Maqedonia e Veriut, të cilët pretendojnë se u penalizuan për mbështetjen ndaj protestës.

Dhe ndërsa qytetarët pritet të mblidhen edhe këtë mbrëmje para Kryeministrisë, zhvillimet e fundit po shtojnë pikëpyetjet nëse përballja e qeverisë nuk po kufizohet më vetëm me protestuesit në shesh, por edhe me çdo mbështetës të tyre që vjen nga jashtë kufijve të Shqipërisë. /Pamfleti, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE