Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, ka deklaruar se e mbështet nismën e Burim Ramadani për kryerjen e narkotestit për të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës.
Bajqinovci tha se është dakord që të gjithë deputetët të testohen, pa asnjë përjashtim.
Ai, megjithatë, kërkoi që krahas narkotestit të realizohet edhe një test për prejardhjen e pasurisë, duke propozuar hapjen e kartelave të pasurisë dhe krahasimin e të ardhurave me pronat, vilat, banesat dhe bizneset e politikanëve.
Reagimi i tij:
Jam dakord me nismën e Burim Ramadanit për narkotestin tek deputetet. Le të testohemi të gjithë, pa asnjë përjashtim.
Por, për hir të transparencës, ta shtojmë edhe një test tjetër: testin e prejardhjes së pasurisë. Të hapen kartelat e pasurisë, të krahasohen të ardhurat me milionat, pronat, vilat, banesat dhe bizneset që kanë mbirë gjatë viteve në politikë.
Prandaj, le t’i bëjmë të dyja. Kush nuk ka frikë nga e vërteta, nuk ka pse t’i frikësohet asnjë testi.