Vjen thirrja! Mos kaloni nepër Serbi

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës, në veçanti bashkatdhetarëve që po udhëtojnë drejt vendlindjes gjatë sezonit veror, të shmangin kalimin tranzit nëpër Serbi dhe, kur është e mundur, të përdorin itinerare alternative.

 

Sipas MPJD-së, ky apel është bërë pas rasteve të përsëritura të ndalimeve dhe arrestimeve të qytetarëve të Kosovës nga autoritetet serbe, zhvillime që, sipas ministrisë, kanë ngritur shqetësime për sigurinë e udhëtarëve.

 

Në njoftimin e saj, ministria bën të ditur se po ndjek nga afër çdo rast të raportuar përmes Zyrës Ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Serbi, e cila është në kontakt të vazhdueshëm me institucionet përkatëse.

MPJD njofton gjithashtu se për rastet e raportuara po informohen edhe partnerët ndërkombëtarë, përfshirë Delegacionin e Bashkimit Evropian në Serbi dhe misionet diplomatike të vendeve të Quint-it, me qëllim që të ketë përcjellje dhe trajtim institucional të situatës.

Apeli vjen në një periudhë kur mijëra mërgimtarë po nisen drejt Kosovës për pushimet verore, duke rritur ndjeshëm fluksin e automjeteve në pikat kufitare dhe në rrugët tranzite.

Për këtë arsye, Ministria u rekomandon qytetarëve që, për arsye sigurie, të planifikojnë udhëtimet e tyre paraprakisht dhe, nëse kanë mundësi, të zgjedhin rrugë alternative që nuk kalojnë nëpër territorin e Serbisë.

MPJD ka bërë të ditur se do të vazhdojë të monitorojë situatën dhe do të informojë qytetarët për çdo zhvillim të ri që lidhet me lëvizjen dhe sigurinë e shtetasve të Kosovës gjatë sezonit veror.