Avokati Nazmi Sallahi ka bërë të ditur se Gjykata Supreme e Kosovës ka marrë një vendim që, sipas tij, ua njeh veteranëve të Ushtria Çlirimtare e Kosovës të drejtën për të përfituar njëkohësisht pensionin e veteranit dhe pensionin e moshës, si dhe pensionin e trashëgimtarit pas vdekjes së veteranit.
Sallahi për “Zërin” ka thënë se deri tani veteranëve u është mohuar padrejtësisht dhe në kundërshtim me ligjin e drejta për të përfituar pensionin e veteranit krahas pensionit bazë dhe atij kontributdhënës.
Sipas tij, pensioni i veteranit përfaqëson njohjen e sakrificës dhe kontributit gjatë luftës çlirimtare dhe nuk duhet të konsiderohet si zëvendësim i pensioneve që burojnë nga mosha ose kontributet e paguara gjatë punës.
Ai ka theksuar se ndalimi i përfitimit të dy pensioneve bie ndesh me parimin e barazisë para ligjit, sigurinë juridike dhe mbrojtjen e të drejtave të fituara, duke shtuar se çdo kufizim i tillë duhet të mbështetet në bazë të qartë kushtetuese dhe ligjore.
“Veteranët e UÇK-së nuk kërkojnë privilegje. Ata kërkojnë vetëm respektimin e ligjit, të Kushtetutës dhe të së drejtave të fituara. Sakrifica për lirinë e vendit nuk mund të shndërrohet në arsye për t’u kufizuar të drejtat që burojnë nga puna, kontributi dhe rendi juridik i Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Sallahi. /Zëri