Një fushatë solidariteti është kthyer në qendër të vëmendjes pas arrestimit të Altin Hilës, protestuesit i cili u bë i njohur për pjesëmarrjen e tij të përditshme në protestat para Kuvendit, ku për disa ditë u pa edhe së bashku me djalin e tij me aftësi të kufizuara.
Pas arrestimit të tij, familjarët hapën një fushatë në platformën GoFundMe, me synimin për të mbështetur financiarisht familjen gjatë kësaj periudhe.
Reagimi i qytetarëve ka qenë i menjëhershëm. Brenda rreth 14 orëve nga publikimi i fushatës, shuma e donacioneve ka kaluar 113 mijë euro, duke iu afruar objektivit të vendosur fillimisht.
Sipas familjarëve, nisma u ndërmor si një mënyrë për të përballuar vështirësitë me të cilat po përballet familja pas arrestimit të Altin Hilës, ndërsa mbështetja e dhënë nga qytetarët është cilësuar si një shenjë e fortë solidariteti.
Ndërkohë, Hila vijon të mbahet në ambientet e Komisariatit nr. 3 në Tiranë, ndërsa jashtë komisariatit janë zhvilluar tubime të qytetarëve që kërkojnë lirimin e tij.
Fushata e ndihmës vazhdon të jetë aktive dhe donacionet po shtohen vazhdimisht, duke reflektuar mbështetjen e madhe që shumë qytetarë po i japin familjes së tij.