Një mosmarrëveshje në komunikacion ka përfunduar me dhunë fizike pasditen e së mërkurës në Mitrovicën e Veriut, ku babë e bir dyshohet se sulmuan një drejtues automjeti, raporton Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur rreth orës 17:00 në rrugën “Adem Mikullovci”.
Sipas kallëzimit të viktimës, M. D rreth 38 vjeç, dy automjete janë bllokuar në rrugë për shkak të mosdhënies së përparësisë së kalimit. Pas konfliktit verbal, nga njëra veturë kanë dalë Gani Hysenaj rreth 71 vjeç dhe Meriton Hysenaj rreth 34 vjeç, të cilët dyshohet se e kanë sulmuar fizikisht.
Si pasojë e sulmit, viktima ka pësuar lëndime trupore dhe ka pranuar trajtim mjekësor
Me udhëzim të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar si “Lëndim i lehtë trupor”, ndërsa procedura ndaj dy të dyshuarve do të vazhdojë në procedurë të rregullt.
Hetimet janë në vazhdim.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.