Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka marrë pjesë në stërvitjen ndërkombëtare “Combat Power 26”, e mbajtur në poligonin ushtarak të Slunjit në Kroaci, ku u përfaqësua nga një kontingjent prej 45 ushtarakësh.
Sipas ministrit në detyrë të Mbrojtjes Ejup Maqedonci, pjesëtarët e FSK-së të organizuar në një tog luftarak të këmbësorisë dhe elementë të mbështetjes logjistike, përfshirë shoferë dhe kuzhinierë, dëshmuan profesionalizëm, disiplinë dhe përkushtim të lartë gjatë stërvitjes.
Në ushtrimin shumëkombësh morën pjesë mbi 3 mijë ushtarakë nga Kroacia dhe qindra pjesëtarë nga shtetet aleate e partnere. Gjatë 11 ditëve të stërvitjes u zhvilluan operacione të integruara ajrore dhe tokësore në kushte sfiduese, me synim rritjen e ndërveprueshmërisë dhe gatishmërisë operacionale.
Maqedonci theksoi se pjesëmarrja në “Combat Power 26” konfirmon se FSK-ja ka aftësitë dhe kapacitetet për të vepruar me sukses krah për krah me ushtritë aleate dhe partnere.
Ai veçoi gjithashtu avancimin e FSK-së në fushën e mbështetjes logjistike, duke nënvizuar se tashmë kapacitetet organike të shërbimit të ushqimit u mundësojnë kuzhinierëve të FSK-së të ofrojnë mbështetje jo vetëm për pjesëtarët e saj, por edhe për forcat partnere gjatë stërvitjeve të përbashkëta.