Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ka publikuar një dokument për Dritan Goxhajn, që të hënën u shfaq në protestë dhe artikuloi kërkesat në drejtim të qeverisë.
Goxhaj gjatë gjithë kësaj kohë ka pretenduar se ka qenë luftëtar i UÇK-së por sipas dokumentit thuhet se Dritan Goxhaj, kishte refuzuar të luftonte.
Në dokumentin e UÇK-së të tregohet se si më 14 prill 1999, në qendrën stërvitore të UÇK-së në Helshan mbërritën si vullnetarë katër oficerë të Ushtrisë Shqiptare, Arqile Mandro, Ermir Begaj, Driton Çyrmishaj dhe Agim Sallaku. Të katërt oficerët ishin transportuar aty nga Dritan Goxhaj, ndërsa sipas dëshmive të zbardhura në dokument, Goxhaj i pyetur nga oficerët nëse do të qëndronte për të luftuar për çlirimin e Kosovës është përgjigjur: “Nuk më ka marrë koka erë, si im atë, të vij në luftën e Kosovës”.
Rama thotë se dokumentin ia dërgoi një person i cili humbi familjen gjatë luftës së Kosovë.
“Po mos bre mos ja kajni nanën krejt, çfarë komandant i leshit more”… Këto ishin fjalët e një burri me disa të vrarë në familje, që më çoi dokumentin bashkëngjitur sot në sabah!
Ndërsa këto janë fjalët e mia: Ej, trima, jo për një manipulator gjysmë taleban e gjysmë mitoman, po për krejt botën sikur të ma falin, nuk e hedh një pikë balte unë mbi flamurin e UÇK-së”, shkruan Rama.