Janë mësuar detaje të reja lidhur me aksidentin tragjik që i mori jetën dy motrave Erza dhe Aulona Zubaku nga fshati Topanicë i Kamenicës, ngjarje kjo që ndodhi të shtunën, më 20 qershor, në Gjermani.
Sipas autoriteteve gjermane, aksidenti ndodhi pak pas orës 11:30 në autostradën A5, pranë zonës së pushimit Renchtal, afër Appenweier. Dyshohet se përplasja ndodhi gjatë një manovre për ndërrimin e korsisë nga ajo e mesme në korsinë e majtë, ku fillimisht pati një përplasje anësore mes dy veturave.
Përplasja u shndërrua më pas në një aksident zinxhiror, me pasoja fatale, ku humbën jetën dy motrat nga Kosova.
Lidhur me rastin ka reaguar edhe gazetari shqiptar në Zvicër, Nefail Maliqi, i cili u shpreh i tronditur nga mënyra se si ndodhi aksidenti.
“Është shkaktuar një aksident zinxhiror, ku në fakt [dy makinat] kanë qenë në një garë, duke u shtyrë mes veti dhe, siç themi ne shpesh, i kanë marrë në qafë njerëzit e tjerë”, u shpreh ai në emisionin “Kosova Today”.
Vdekja e Erza dhe Aulona Zubakut ka tronditur familjen, të afërmit dhe mbarë opinionin, ndërsa mesazhet e ngushëllimit dhe dhimbjes vazhdojnë të vijnë nga të gjitha anët.
Autoritetet gjermane po vazhdojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e aksidentit dhe për të përcaktuar përgjegjësinë për këtë tragjedi. 🕊️