“Shpërthen” Dejona Mihali ndaj Sami Lushtakut: Ja kush është babai im, Aleksandri

Është ashpërsuar debati politik mes zyrtares së Lëvizjes Vetëvendosje, Dejona Mihali, dhe figurës së njohur të Sami Lushtaku, pasi Mihali ka reaguar me një deklaratë tejet të fortë publike, duke e sulmuar drejtpërdrejt ish-komandantin e UÇK-së me akuza dhe kritika të rënda.

Në reagimin e saj, Mihali ironizoi fillimisht paraqitjen publike të Lushtakut duke thënë se “u lajmërua edhe bosi i Përpamiut”, duke shtuar se ai vazhdimisht qëndron “pas shpinës së Ganimete Musliu”, duke pretenduar se deputetja e PDK-së është ajo që çdo ditë kujdeset për mbrojtjen e emrit të tij në skenën publike.

Më tej, Mihali theksoi se Lushtaku po e mban peng Partia Demokratike e Kosovës, duke pretenduar se ai dëshiron një parti “sa për vete”, vetëm për të mbuluar, sipas saj, “gjynahet dhe marifetet” që e kanë shoqëruar ndër vite.

Në deklaratën e saj nuk munguan as akuzat personale, ku ajo përmendi edhe Aleksandër Mihalin, duke e mbrojtur figurën e tij dhe duke e krahasuar me Lushtakun, për të cilin përdori fjalë tejet të ashpra, duke thënë se persona si ai “i kanë dhënë vetes të drejtën të grabisin pasurinë e popullit për 20 vjet”.

Kulmi i reagimit erdhi në fund, kur Dejona Mihali hodhi dyshime edhe mbi rolin e Sami Lushtakut gjatë luftës, duke e sfiduar publikisht me pyetjen provokuese: “Kur erdhe në luftë o zotëri? Në cilin muaj e vit?”

Ky reagim ka ndezur debat të madh në rrjetet sociale dhe pritet të sjellë reagime të tjera në skenën politike kosovare, duke thelluar edhe më shumë tensionet mes eksponentëve të pushtetit dhe opozitës.