Pamjet filmike dhe deklaratat e folësve në një dokumentar të RTS-së për Reçakun, përbëjnë themelin e dyshimit të prokurorisë, për 5 të dyshuar për krime lufte. Në dosjen e siguruar nga KOHA, tregohet se njëri nga ta është personi që në dokumentar shihet tek e shqelmon derën e një shtëpie gjatë sulmit në Reçak. Këtë nuk e ka mohuar avokati i tij
Njëri prej të arrestuarve të fundit për krime lufte në Reçak, është personi që në ditën e krimit është xhiruar duke shkelmuar derën e një shtëpie, pretendon Prokuroria Speciale.
Ai është Stanoje Janiqeviq, që të dielën u arrestua bashkë me katër persona të tjerë, nën dyshimin se kanë marrë pjesë në masakrën ku u vranë 45 civilë shqiptarë.
E, në kërkesën e Prokurorisë për masë paraburgimi, jepen edhe detaje mbi përgjegjësinë e të dyshuarve. Në të theksohet se pjesëmarrja e të dyshuarve në aksionin gjatë të cilit është kryer edhe masakra, vërtetohet edhe nga pamjet e publikuara në një dokumentar të Radiotelevizionit të Serbisë, i realizuar me mbështetjen e Ministrisë së Punëve të Brendshme të këtij shteti, e ku lartësohet vepra e policëve dhe ushtarëve të Serbisë.
Lubomir Pantoviq është avokat i të dyshuarit Janiqeviq, dhe ka thënë se pamja nuk dëshmon për krime lufte.
“Nëse pretendohet se ekziston dyshimi i bazuar që Stanoje Janiqeviq ka kryer ndonjë veprim, i cili paraqet krim të luftës, atëherë ajo është dashur që të shkruhet në këtë kërkesë e jo vetëm të qëndrojë se me shkelm e ka shkelmuar derën e hyrjes së shtëpisë. Fotografitë të cilat i përmend prokurori shikuar në mënyrë objektive nuk janë rrethana të cilat vërtetojnë dyshimin e bazuar kundër të mbrojturit tim”, ka thënë ai.
Gjatë seancës në të cilën kërkoi paraburgim për të arrestuarit, prokurori special Ilir Morina është shërbyer edhe me deklaratën e dhënë në të njëjtin dokumentar nga kreu i njësive të posaçme PJP, Goran Radosavleviq – Guri, i cili thotë se në aksionin në Reçak morën pjesë njësitë nga pjesë të ndryshme të Kosovës. Prokuroria Speciale dyshon se pjesë e PJP-së ishin edhe Novica Peqinoviq, Stanoje Janiqeviq, Borko Paliq dhe Sllagjan Millisavleviq dhe se Stanko Saviq ishte pjesëtar i Policisë që i përgjigjej stacionit policor të Ferizajt.
Për këtë pretendim, avokatët e të dyshuarve kanë shprehur qëndrime të ndryshme.
Avokati i Peqinoviqit tha në gjykatë se të qenit pjesëtar i një njësie, nuk është krim lufte. Ngjashëm është shprehur edhe avokati i Janiqeviqit, i cili tha se gjetja e një fotografie me veshje të policisë së Serbisë nuk është provë mbi të cilën mund të bazohet dyshimi për krime lufte.
E avokati i Petkoviqit tha se klienti i tij nuk duhet të çohet në paraburgim, me arsyetimin se kodi penal nuk e sanksionon si vepër penale ecjen me uniformë të policisë.
Ndërkaq, avokatja e Milisavleviqit theksoi se klienti i saj ka qenë polic i komunikacionit dhe se s’ka prova që vërtetojnë dyshimin e bazuar për të.
Ndryshe është shprehur avokati i Saviqit, për të cilin tha se kurrë nuk ka qenë polic./Koha