Me mbi 30% të votave të numëruara, LVV prin bindshëm, PDK e dyta
Procesi i numërimit të votave për zgjedhjet parlamentare po vazhdon, ndërsa rezultatet preliminare nga rreth 30.10 për qind e votave të numëruara tregojnë se Lëvizja Vetëvendosje mbetet forca kryesore politike në vend.
Sipas të dhënave të deritanishme, Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar 84,509 vota ose 39.65 për qind, duke mbajtur një epërsi të konsiderueshme ndaj partive tjera, shkruan “Bota sot”.
Në vendin e dytë renditet Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 41,407 vota ose 19.43 për qind, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) mban pozitën e tretë me 32,413 vota, përkatësisht 15.21 për qind.
Ndërkohë, Lista Serbe ka marrë 28,056 vota ose 13.16 për qind, duke u renditur e katërta në nivel vendi, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka siguruar 13,394 vota ose 6.28 për qind.
Megjithatë, bëhet fjalë për rezultate ende jo përfundimtare, pasi numërimi i votave vazhdon dhe renditja përfundimtare mund të pësojë ndryshime deri në përmbylljen e plotë të procesit.