Votimi në Austri po zhvillohet pa pengesa, deri në mesditë kanë votuar 417 qytetarë
Nga: A.M.
Ambasada e Republikës së Kosovës në Austri ka njoftuar se procesi i votimit po zhvillohet në mënyrë të rregullt dhe pa asnjë pengesë.
Sipas të dhënave të publikuara nga ambasada, deri në orën 13:00 të drejtën e votës e kanë ushtruar 417 qytetarë nga gjithsej 1,126 votues të regjistruar për të votuar në këtë përfaqësi diplomatike.
Autoritetet diplomatike kanë falënderuar bashkatdhetarët për pjesëmarrjen dhe angazhimin e tyre në këtë proces të rëndësishëm demokratik, duke vlerësuar interesimin e treguar për zgjedhjet.
Njoftimi:
Procesi i votimit në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Austri po zhvillohet në mënyrë të rregullt dhe pa pengesa.
Deri në orën 13:00, të drejtën e votës e kanë ushtruar 417 qytetarë nga 1,126 votues të regjistruar.
Falënderojmë bashkatdhetarët tanë për pjesëmarrjen dhe angazhimin e tyre në këtë proces të rëndësishëm demokratik
06.06.2026 – 14:41
KQZ: Deri në orën 13:00 kanë votuar mbi 10 mijë qytetarë në përfaqësitë diplomatike
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se procesi i votimit në përfaqësitë diplomatike të Kosovës po zhvillohet sipas planifikimeve dhe tashmë është aktiv në të gjitha misionet diplomatike ku është paraparë votimi.
Në konferencën e dytë për media, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, bëri të ditur se deri në orën 13:00, nga 27,724 votues të regjistruar, kanë votuar 38.97% apo 10,804 votues.
Tutje ai tha se me hapjen e vendvotimeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Kanada, procesi zgjedhor ka nisur në të gjitha përfaqësitë diplomatike të Kosovës.
“Me fillimin e votimit në përfaqësitë diplomatike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Kanada, në orën 13:00 sipas kohës lokale në Kosovë, ju njoftojmë se tashmë procesi i votimit është duke vazhduar në të gjitha përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës.Sipas të dhënave nga 26 përfaqësi diplomatike, deri në orën 13:00 nga 27,724 votues të regjistruar, kanë votuar 38.97 për qind apo 10,804 votues”, deklaroi ai.
06.06.2026 – 13:09
Hapen dyert e vendvotimit në Uashington, ambasada fton bashkatdhetarët të marrin pjesë
Nga: A.M.
Ambasada e Republikës së Kosovës në Uashington, ka njoftuar se qendra e votimit pranë kësaj përfaqësie diplomatike është hapur sipas orarit të paraparë dhe po pret qytetarët e regjistruar për të ushtruar të drejtën e tyre të votës.
Sipas njoftimit, procesi i votimit ka nisur në orën 07:00 dhe do të vazhdojë deri në orën 19:00. Autoritetet diplomatike kanë ftuar të gjithë shtetasit e Republikës së Kosovës që janë regjistruar për votim në ambasadë që të marrin pjesë në këtë proces të rëndësishëm demokratik.
Për të votuar, qytetarët duhet të paraqesin një nga dokumentet identifikuese të Republikës së Kosovës, përkatësisht letërnjoftimin, pasaportën ose lejen e vozitjes.
Ambasada ka theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes në zgjedhje, duke rikujtuar se çdo votë ka peshë në procesin demokratik dhe duke u uruar mirëseardhje të gjithë votuesve gjatë ditës së sotme.
Njoftimi:
Qendra e votimit pranë Ambasadës së Republikës së Kosovës në Washington, D.C., është hapur sipas orarit zyrtar.
Ftojmë të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që janë të regjistruar për votim në Ambasadë, ta ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike.
Votimi mund të realizohet me dokumentet si në vijim:
– Letërnjoftim të Republikës së Kosovës
– Pasaportë të Republikës së Kosovës
– Leje vozitje të Republikës së Kosovës
Vendvotimi do të jetë i hapur nga ora 07:00 deri në ora 19:00.
Vota juaj ka rëndësi.
Ju mirëpresim!
06.06.2026 – 13:02
Konsullata e Kosovës në Shtutgart: Votimi po zhvillohet në mënyrë të rregullt
Nga: A.M.
Procesi i votimit për qytetarët e Kosovës të regjistruar për të votuar në përfaqësitë diplomatike po zhvillohet sot edhe në Konsullatën e Republikës së Kosovës në Shtutgart.
Sipas njoftimit zyrtar, votimi ka nisur në orën 07:00 të mëngjesit dhe do të vazhdojë deri në orën 19:00, duke u mundësuar bashkatdhetarëve që të ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të votuar.
Autoritetet konsullore kanë ftuar të gjithë qytetarët e regjistruar me sukses që të marrin pjesë në këtë proces të rëndësishëm demokratik, duke dhënë kontributin e tyre në përcaktimin e institucioneve të ardhshme.
Njëkohësisht, është shprehur mirënjohje për angazhimin, pjesëmarrjen dhe bashkëpunimin e bashkatdhetarëve, të cilët po ndihmojnë në zhvillimin e një procesi të qetë, të rregullt dhe demokratik në diasporë.
Njoftimi:
Votimi në Konsullatën e Republikës së Kosovës në Shtutgart
Sot, 06 qershor 2026, po zhvillohet procesi i votimit në Konsullatën e Republikës së Kosovës në Shtutgart.
Votimi ka filluar në orën 07:00 dhe do të vazhdojë deri në orën 19:00.
I ftojmë të gjithë qytetarët e regjistruar me sukses që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese dhe të marrin pjesë në këtë proces të rëndësishëm.
Falënderojmë bashkatdhetarët tanë për angazhimin, pjesëmarrjen dhe bashkëpunimin, duke kontribuar në një proces të qetë, të rregullt dhe demokratik.
06.06.2026 – 10:24
KQZ: Deri në orën 9 votuan 11.24% e votuesve në përfaqësi diplomatike – pamje nga votimi
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka mbajtur konferencën e parë lidhur me procesin e votimit në përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të 7 qershorit.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi në një konferencë për media bëri të ditur se sipas të dhënave gjatë këtyre orëve të para të votimit në 25 përfaqësi nga 30 përfaqësi diplomatike ku ka filluar dhe po zhvillohet votimi, deri në orën 09:00, nga 27,724 votues të regjistruar, kanë votuar 11.24% e tyre apo 3,117 votues”.
“Ju njoftoj se procesi i votimit në orën 06:00, sipas kohës lokale në Kosovë, procesi i votimit ka filluar në ambasadën dhe konsullatën e Republikës së Kosovës në Ankara dhe Stamboll, ndërkaq, në orën 07:00, gjithashtu sipas kohës lokale në Kosovë, votimi ka filluar edhe në 24 përfaqësi të tjera diplomatike që ndodhen në Evropë”, tha ai.
Elezi tutje bëri të ditur se votimi në dy përfaqësitë diplomatike në ShBA, në ambasadën në Uashington si dhe në konsullatën në Nju Jork si dhe në dy të tjera në Kanada, Otavë dhe Toronto do të fillojë në orën 07:00 sipas kohës lokale në këto shtete, përkatësisht në orën 13:00 sipas kohës lokale në Kosovë.
06.06.2026 – 09:35
KQZ: Mbi 3 mijë votues jashtë vendit kanë ushtruar të drejtën e votës
Sot ka nisur votimi në përfaqësitë diplomatike të Kosovës për zgjedhjet që do të zhvillohen të dielën, më 7 qershor.
Sipas zëdhënësit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, në 25 nga 30 përfaqësitë ku votimi ka filluar, deri në orën 09:00 nga 27.724 votues të regjistruar, kanë votuar 11.245 persona, ndërsa 3.117 votues kanë përfunduar procedurën e tyre të votimit.
“Ju njoftoj se procesi i votimit, për orën 06 sipas kohës lokale në Kosovë, ka filluar në ambasadën dhe konsullatën e Republikës së Kosovës në Ankara dhe Stamboll. Ndërsa në orën 07 të mëngjesit, gjithashtu sipas kohës lokale në Kosovë, ka filluar edhe në 24 përfaqësi të tjera diplomatike që ndodhen në Evropë.
Sipas të dhënave gjatë këtyre orëve të para të votimit, në 25 nga 30 përfaqësi diplomatike ku ka filluar dhe po zhvillohet votimi, deri në orën 09:00, nga 27.724 votues të regjistruar, kanë votuar 11.245 prej tyre, apo 3.117 votues”, tha Elezi gjatë një konference për media.
06.06.2026 – 09:15
MPJD konfirmon: Janë hapur me kohë të gjitha pikat e votimit në misionet diplomatike dhe konsullore
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës njofton të gjithë bashkatdhetarët se sot nga ora 07:00 janë hapur të gjitha pikat e votimit në misionet diplomatike dhe konsullore të Republikës së Kosovës.
MPJD fton të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që janë regjistruar për të votuar jashtë vendit, të marrin pjesë në procesin zgjedhor dhe të ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike për të votuar.
“Pjesëmarrja juaj në zgjedhje është një kontribut i rëndësishëm për demokracinë dhe të ardhmen e vendit tonë. Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në koordinim me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, mbetet e përkushtuar për të siguruar mbarëvajtjen e procesit të votimit në të gjitha përfaqësitë diplomatike dhe konsullore të Republikës së Kosovës.
Ju falënderojmë për angazhimin dhe kontributin tuaj të vazhdueshëm për Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftim.
06.06.2026 – 09:14
Zgjedhjet e së dieles, sot votohet në hapësirat diplomatike të Kosovës në 18 shtete
Sot do të zhvillohet votimi në përfaqësitë diplomatike të Kosovës, për zgjedhjet e së dielës.
Sipas një njoftimi të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të gjitha qendrat e votimit hapen në orën 07:00 dhe do të mbyllen në orën 19:00, sipas kohës lokale të çdo shteti.
“27,724 votuesit e regjistruar në 30 përfaqësi diplomatike do të mund të votojnë më 6 qershor 2026, pasi në listën votuese, e cila do të përdoret në këto përfaqësi diplomatike, janë vetëm emrat e shtetasve që kanë përzgjedhur këtë mënyrë votimi kur janë regjistruar si votues jashtë Kosovës gjatë periudhës së regjistrimit (6 maj – 17 maj 2026)”, thuhet në njoftim.
Procesi i votimit do të zhvillohet në 47 vendvotime që u përkasin 17 ambasadave dhe 13 konsullatave të Republikës së Kosovës, të cilat janë të vendosura në 18 shtete të ndryshme.