Kush është Artur Shehu, pronari “Zvërnecit e Karaburunit

Cdo investitor serioz që interesohet për Zvërnecin, Karaburunin apo zonën e Ujit të Ftojtë, duhet të negociojë më parë me një faktor lokal, mandej me qeverinë shqiptare.

 

Bëhet fjalë për Artur Shehun, 58 vjeç, një personazh që është bërë pronar i qindra hektarë prona në Zvërnec, Karaburun dhe zonave më të lakmueshme të Vlorës, të cilat marrin një rëndësi dhe vlerë marramendëse me hapjen e aeroportit.

Emisarët e Artur Shehut për të ‘futur në dorë’ Zvërnecin dhe zona të tjera fillimisht dyshohet se ishte Pëllumb Petriti, i dënuar të paktën 3 herë për përvetësimin me letra false të mbi 800 hektarë toka në Karaburun dhe Zvërnec, më pas Kreshnik Telelena, i cili ka dalë pronar i pyllit, rërës dhe detit në Zvërnec dhe vitet e fundit Leonard Bishaj (lidhje e klanit mafioz “Sacra Corona Unita”).

 

Disa artikuj dhe investigime mediatike e përshkruajnë Artur Shehun si mafiozin më të madh të Vlorës me veprimtari 30-vjeçare, aktiv edhe sot, me 5 emra, që jeton prej 23 vitesh në Florida të SHBA nga ku komandon aktivitetin në Vlorë, si bos droge dhe kazinosh, si përfaqësues i mafies italiane “Sacra Corona Unita” në Vlorë, bos të mafies së pronave etj.

Por, në fakt ndaj Artur Shehut nuk ka asnjë akuzë për ndonjë vepër penale.

Megjithatë, disa fakte të tjera tregojnë për lidhjet dhe fuqinë e ndikimit të Artur Shehut deri në kupolën e qeverisë.

Shehu është biznesmeni i parë që do të shtrijë ndërtimin e një resorti në det, në Lungomaren e Vlorës, pranë Ujit të Ftohtë dhe vilës së famshme qeveritare.Vendimi është firmosur nga vetë Edi Rama më 16 mars 2022 si Kryetar i Këshillit Kombëtar të Territorit.Leja është dhënë për kompaninë Adhenis, me pronar Artur Shehu, i përfaqësuar nga Leonard Bishaj.

Kjo vendimarrje tregon për fijet lidhëse dhe ndikimin e Shehut deri në qeveri, ku përpos përfitimit të tokave me letra të diskutueshme, arrin edhe të marrë leje për të ngitur resorte në det, objekt të cilin as dy-tre oligarkët kryesorë nuk kanë fuqi t’a arrijnë.

Faktorë lokalë në Vlorë e përshkruajnë Artur Shehun si biznesmen serioz, i larguar prej dy dekadash jashtë vendit.

Por, nëse u referohemi disa investigimeve mediatike, Artur Shehu vizatohet si një personazh, të cilit vetëm SPAK, që ka mbështetjen e CIA-s dhe FBI, mund t’i bëjë ballë, duke hapur dosjet se si qindra hektarë tokë përfunduan në duart e tij.

Investigimi i OCCRP-së

Nga Lindita Çela

Nga banesa e tij me pamje nga laguna piktoreske e Nartës në jug të Shqipërisë, 72-vjeçari Jorgaq Subashi mund t’i hedhë një sy tokës që iu dha në vitin 1993 si pjesë e përpjekjes së qeverisë për të kthyer pronat e kapura nën sundimin komunist.

Por ai nuk lejohet të jetojë në të.

Pothuajse tre dekada pasi e fituan tokën përsëri, Subashi dhe 34 bashkëfshatarë të tij ende nuk i kanë marrë aktet e tyre të pronës. Ata mbeten të bllokuar nga burokracia në dukje e pandryshueshme, pavarësisht se një gjykatë konfirmoi në vitin 2012 se pronat e tyre ishin transferuar në mënyrë të paligjshme në një klan të fuqishëm lokal të lidhur me vjedhjen e pjesëve të bregdetit jugor rreth qytetit të Vlorës.

“Ne e dimë që tokat na u morën nga kolektivizimi i bujqësisë gjatë regjimit komunist.”- tha Subashi. “Pas viteve ’90-të, shteti na i ktheu ato, por ne ende nuk mund t’i regjistrojmë.”

Gjendja e vështirë e fshatarëve është diçka e zakonshme për kombin ballkanik, një nga vendet më të varfra në Evropë, ku përpjekjet për reformën e tokës janë penguar nga keqmenaxhimi dhe korrupsioni. Në disa raste, procesi është rrëmbyer nga gangsterë të dyshuar si Artur Shehu, i cili, së bashku me disa nga anëtarët e familjes së tij, akuzohet se ka vjedhur gati 500 hektarë të pasurive të patundshme kryesore pranë Vlorës.