Kritikuesi i ashpër i LVV-së bën thirrje të votohet masivisht Albin Kurti

Një qëndrim që ka tërhequr vëmendje në prag të zgjedhjeve të 7 qershorit ka ardhur nga Mentor Llugaliu, i njohur prej vitesh si një nga kritikuesit e ashpër të Lëvizjes Vetëvendosje.

Përmes një postimi publik, Llugaliu ka vlerësuar se, pavarësisht mangësive që sipas tij janë shfaqur gjatë qeverisjes, Vetëvendosje vazhdon të mbetet alternativa më e shëndoshë politike në vend dhe nuk sheh një zëvendësim serioz për të as në të ardhmen e afërt.

Ai ka kritikuar ashpër partitë opozitare, duke vlerësuar se PDK-ja vazhdon të përballet me ndikime të grupeve parapolitike dhe probleme të korrupsionit, ndërsa LDK-në e ka cilësuar si të dezorientuar dhe të mbetur peng e së kaluarës.

Sipas Llugaliut, krahasuar me alternativat ekzistuese në skenën politike, Vetëvendosje paraqitet si forca më normale dhe më e organizuar politike në vend.

Në fund të reagimit të tij, ai ka bërë edhe një thirrje të drejtpërdrejtë për votuesit që ndajnë të njëjtin mendim me të, duke i ftuar që më 7 qershor ta mbështesin masivisht Vetëvendosjen.

“Duke i pa alternativat eventuale, Vetëvendosje e meriton bindshëm edhe një mandat”, ka shkruar ndër të tjera Llugaliu, në një deklaratë që pritet të ngjallë reagime në kampin politik, sidomos për faktin se vjen nga një zë që në të kaluarën ka qenë kritik ndaj qeverisjes së LVV-së.