Fushata zgjedhore po hyn në ditët vendimtare, por një fakt po tërheq vëmendjen e opinionit publik: deri më tani, lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe ish-presidentja Vjosa Osmani nuk kanë zhvilluar asnjë aktivitet të njohur elektoral në Mitrovicën e Veriut, një nga zonat më të ndjeshme dhe më të diskutuara politikisht në Kosovë, raporton Gazeta Minuti.
Derisa partitë politike po garojnë për çdo votë në mbarë vendin, mungesa e vizitave dhe tubimeve në veri po komentohet nga shumë qytetarë si një boshllëk i dukshëm në fushatën e koalicionit të tyre. Veriu i Mitrovicës vazhdon të mbetet një prej temave më të rëndësishme politike dhe të sigurisë në vend, duke qenë shpesh në qendër të debatit publik dhe zhvillimeve politike.
Në anën tjetër, mbështetësit e LDK-së argumentojnë se fushata e tyre është përqendruar në qytetet me përqendrimin më të madh të votuesve dhe në prezantimin e programit qeverisës.
Megjithatë, fakti mbetet se deri në këtë fazë të fushatës nuk është raportuar ndonjë tubim apo aktivitet i madh elektoral i Abdixhikut dhe Osmanit në Mitrovicën e Veriut, gjë që po ngjall diskutime të shumta në prag të zgjedhjeve të 7 qershorit.