Muçi ia del! Ylli shqiptar fiton trofeun e parë me Trabzonsporin, shpallet fitues i Kupës së Turqisë

Ernest Muçi ka arritur të shpallet kampion i Kupës së Turqisë, pas triumfit të Trabzonsporit në finale kundër Konyasporit me rezultatin 2-1.

 

Takimi i luajtur në Antalja prodhoi emocione të shumta, ku të dyja skuadrat luftuan deri në fund për trofeun e dytë më të rëndësishëm në futbollin turk.

I pari që kaloi nbë avantazh ishte Trabzonspori me anë të Onuachus në minutën e 18’.

Ekipi i Konyasporit arriti të barazonte me Mulekën në minutën e 50’ dhe pas 8 minutash kishte shansin të përmbyste rezultatin, por Enis Bardhi gaboi nga pika e bardhë e 11-metërshit.

Këtë gabim nuk e përsëriti Onuachu, i cili në të 79’ e ktheu në gol 11-metërshin e fituar pas një prekje të topit me dorë në zonë, duke i dhënë avantazhin për herë të dytë ekipit të Trabzonsporit.

Muçi ishte në fushë nga minuta e parë dhe u zëvendësua vetëm në minutat shtesë, duke lënë fushën me një paraqitje pozitive.

Ylli shqiptar fiton kështu trofeun e tretë në Turqi dhe të parin me Trabzonsporin, pas një Kupe dhe një Superkupe me Besiktasin./Top Channel