Mesazhi i Thaçit nga Haga për qytetarët, ja çfarë ju tha!!

Ish-kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka bërë të ditur se bashkë me Abelard Tahirin kanë zhvilluar të enjten vizita të ndara te ish-presidenti Hashim Thaçi në Hagë, duke thënë se ai mbetet “i palëkundur” dhe optimist për përfundimin e procesit gjyqësor.

 

Krasniqi tha se vizita kishte për qëllim mbështetjen ndaj Thaçit dhe ish-krerëve të tjerë të UÇK-së në këtë fazë të procesit.

“Për të qenë pranë tij dhe shokëve të tij edhe në këtë fazë finale të procesit dhe, aq sa mundemi, për ta ndarë sadopak me ta këtë rrugëtim të gjatë sfidash dhe padrejtësish. Dhe për t’u thënë: nuk jeni dhe nuk do të jeni kurrë vetëm!”, ka shkruar ai.

Sipas Krasniqit, Thaçi vazhdon të ruajë qetësinë dhe besimin në drejtësi.

“Ato që mbeten gjithmonë të njëjta janë forca, qetësia dhe optimizmi i Presidentit Thaçi dhe i çlirimtarëve tanë. Si në vizitën e parë, edhe sot ai mbetet i palëkundur, besimplotë në drejtësi dhe me bindjen se shumë shpejt, tashmë çështje ditësh, do të jetë sërish në mesin e qytetarëve të Kosovës”, u shpreh ai.

Krasniqi tha se nga Thaçi ka marrë edhe një mesazh për qytetarët.

“Ka momente kur qëndresa shndërrohet në frymëzim, e ky është padyshim një prej tyre. Nga Presidenti keni të fala dhe një porosi: Besoni në Kosovë!”, ka përfunduar ai.