Reagon burri i Vjosa Osmanit pas deklaratës së Konjufcës

Burri i ish-presidentes Vjosa Osmani, Prindon Sadriu, ka reaguar ashpër ndaj nënkryetarit të Lëvizja Vetëvendosje, Glauk Konjufca, pas deklaratave dhe talljeve që sipas tij janë bërë ndaj Vjosa Osmanit gjatë një aktiviteti zgjedhor.

 

Në një reagim të gjatë publik, Sadriu akuzoi Konjufcën për “mentalitet mizogjenist” dhe përçmim ndaj grave dhe profesioneve të ndershme, duke thënë se tallja nuk kishte të bënte vetëm me Vjosa Osmanin, por me çdo grua që punon me dinjitet në Kosovë.

“Glauku po qeshte me Vjosa Osmanin, një grua me doktoraturë në Drejtësi në njërin nga universitetet më të njohura amerikane… Por kjo flet më shumë për ty sesa për Vjosën”, shkroi ai.

Sadriu tregoi edhe për jetën e tij si mërgimtar në Australi, ku tha se një nga punët e para ka qenë shpërndarja e picave, punë të cilën e cilësoi si burim krenarie dhe sakrifice.

“Do ta zgjidhja atë punë të shpërndarjes së picave çdo ditë, para një karriere politike të ndërtuar mbi përqeshje e propagandë”, deklaroi ai.

Në fund të reagimit, ai paralajmëroi se videoja e talljes do të mbetet gjatë në kujtesën e grave dhe vajzave të Kosovës.

“Vjosa Osmani do të kujtohet si Presidente… Po ti, Glauk? Do të kujtohesh për këtë tallje”, përfundoi Sadriu.