Politikanja e famshe në Kosovë i thotë Albinit: Marre po më vjen për ty

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka reaguar ndaj deklaratës së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i cili tha se “opozitës i duhet një goditje e re”.

 

Përmes një postimi në Facebook, Çitaku ka theksuar se qytetarët e Kosovës përballen me probleme konkrete të jetës së përditshme dhe jo me përplasje politike.

Ajo përmendi pensionet, pagat dhe kushtet në sistemin shëndetësor si shqetësimet kryesore të qytetarëve.

“Pensioneri ka nevojë për pension dinjitoz, që të mos detyrohet të zgjedhë mes barnave dhe ushqimit. Mësuesja ka nevojë për pagë që ia mundëson ta kalojë muajin me dinjitet. Mjeku ka nevojë për barna dhe kushte për t’i trajtuar pacientët. Këto janë hallet e qytetarëve,” ka shkruar Çitaku.

 

Deklarata e saj vjen në kohën kur skena politike në vend po karakterizohet nga përplasje të ashpra verbale mes pushtetit dhe opozitës në prag të zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit.

Reagimi i Çitakut është komentuar gjerësisht në rrjetet sociale, ku debatet politike janë intensifikuar pas deklaratave të fundit të liderëve politikë.