Gazmend Demolli ka publikuar edhe rezultatet e projeksionit për zgjedhjet e qershorit 2026, ku sipas modelit të tij statistikor, Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të mbetet bindshëm forca e parë politike në vend.
Sipas grafikës së publikuar nga Demolli, LVV projektohet me 49.1 për qind të votave, duke lënë pas Partinë Demokratike të Kosovës me 20.4 për qind.
Në vendin e tretë renditet Lidhja Demokratike e Kosovës me 16.3 për qind, ndërsa subjektet e minoriteteve projektohen me 8.1 për qind.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës sipas këtij projeksioni arrin në 5.6 për qind, kurse të gjitha subjektet e tjera së bashku marrin vetëm 0.5 për qind.
Demolli pretendon se analiza është ndërtuar mbi 1,250 inpute të validuara, me algoritme të avancuara për filtrimin e votimeve të orkestruara dhe eliminimin e anomalive statistikore. Ai thekson se modeli është “tërësisht i pavarur” dhe pa ndërhyrje editoriale apo politike.
Rezultatet janë publikuar si pjesë e projeksionit agregat për zgjedhjet e qershorit 2026, bazuar në krahasimin me trendet elektorale të dhjetorit 2025.
Analisti Gazmend Demolli ka publikuar një analizë të detajuar lidhur me zgjedhjet e qershorit 2026, duke pretenduar se modeli i përdorur është ndërtuar mbi baza tërësisht statistikore dhe algoritmike, me kontroll të plotë të gabimeve njerëzore dhe teknike.
Sipas Demollit, analiza është bazuar në 1,250 inpute totale, prej të cilave 800 janë nga rezidentët dhe 450 nga diaspora. Ai thekson se të dhënat nga diaspora janë kalibruar përmes një “koeficienti logjistik”, duke marrë për bazë fluksin maksimal të pritshëm të udhëtimeve gjatë muajit qershor, me qëllim eliminimin e deklarimeve joreale nga jashtë vendit.
Në dokument thuhet se marzhi i gabimit është ±2.8 pikë përqindjeje, me interval besimi 95 për qind, ndërsa modeli llogarit edhe variancën jolineare të sjelljes elektorale.
Një pjesë e rëndësishme e analizës lidhet me filtrimin e të dhënave online. Demolli bën të ditur se është përdorur algoritmi DBSCAN për të identifikuar dhe eliminuar anomalitë statistikore, votimet e orkestruara dhe rreshtat e dyfishtë. Sipas tij, janë larguar të gjitha votimet që kanë ardhur nga IP identike, si dhe gjurmët e fabrikuara të shfletuesve.
Analiza bazohet në tri shtylla metodologjike kryesore:
• CMGR – që mat rritjen dhe lëvizjet demografike krahasuar me zgjedhjet e vitit 2021 në nivel të qendrave të votimit.
• Matrica e tranzicionit – që llogarit lëvizjen neto të votuesve mes partive politike, duke ndarë votën tradicionale nga ajo që konsiderohet “e lirë” për transferim.
• LOCK-IN – që nënkupton bllokimin e të gjithë parametrave statistikë përpara nisjes së analizës, pa ndërhyrje editoriale apo subjektive pas përpunimit të të dhënave.
Demolli pretendon se projeksioni është “tërësisht i pavarur” dhe i ndërtuar mbi verifikim strikt inxhinierik, pa ndikime politike apo redaktuese.
Në fund të prezantimit paralajmërohet edhe “Vala 2” e zgjerimit të kampionit, ku qytetarët ftohen të deklarojnë votën e tyre të dhjetorit 2025 dhe preferencën për zgjedhjet e qershorit 2026, për të kaluar më pas në projeksionin final elektoral.