Zyrtarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Dejona Mihali, ka reaguar ashpër pas incidentit të raportuar në Skënderaj, ku u përfshi kryetari i komunës, Sami Lushtaku, dhe kandidati i VV-së për deputet, Hysni Mehani.
Përmes një postimi publik, Mihali e ka quajtur Lushtakun “burracak”, duke e kritikuar për mënyrën e sjelljes ndaj kundërshtarëve politikë.
Në reagimin e saj ajo shkroi:
“Sami Lushtaku, ka qenë dikur, në luftë, komandant e gjeneral. Po sot çfarë është? Burracak. Se cili gjeneral lufte del shesheve dhe grushton kundërshtarët politik?”
Postimi i saj vjen pas tensioneve të raportuara në Skënderaj, ku Vetëvendosje pretendon se Hysni Mehani është sulmuar fizikisht nga Sami Lushtaku dhe persona të afërt me të.
Nga ana tjetër, Lushtaku ka mohuar akuzat, duke deklaruar se ndaj tij kishte provokime dhe etiketime politike.
Ngjarja ka nxitur reagime të shumta në skenën politike dhe debate të forta në rrjetet sociale, ndërsa institucionet e rendit ende nuk kanë dalë me një raport zyrtar përfundimtar lidhur me rastin.