Faqe të afërta me mbështetësit e LDK-së “godasin” Vjosa Osmanin pas tubimit me Abdixhikun
Pas paraqitjes së përbashkët të presidentes Vjosa Osmani me kreun e LDK-së, Lumir Abdixhiku, kanë nisur reagime të shumta në rrjetet sociale, ku disa faqe të afërta me mbështetësit e LDK-së kanë publikuar postime kritike ndaj Osmanit, shkruan Gazeta Minuti.
Një nga faqet që ka tërhequr vëmendje është “Dr. Ibrahim Rugova – Na Mungon”, e cila ka publikuar disa postime me tone të ashpra ndaj presidentes.
Në një nga postimet thuhet se Osmani kishte qenë në krah të Albin Kurtit “kur sulmohej LDK-ja”, ndërsa në një tjetër postim është publikuar një fotografi e vjetër e Osmanit me Isa Mustafën krahas një fotografie të fundit me Lumir Abdixhikun, me mbishkrimin: “Me duket si film i parë kjo skenë… apo jam gabim?”
Postimet kanë nxitur debat të madh në komente, ku një pjesë e mbështetësve të LDK-së kanë shprehur pakënaqësi ndaj afrimit të Osmanit me partinë, ndërsa të tjerë e kanë mbështetur paraqitjen e saj në tubim.