Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka mbajtur fjalim në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të partisë, pas nominimit të tij si kandidat për kryeministër për zgjedhjet e 7 qershorit.
Në fjalën e tij, Kurti theksoi se përmbushja e misionit politik të Lëvizjes Vetëvendosje përbën një detyrim historik ndaj Kosovës dhe kombit shqiptar.
“Është një detyrim historik ky që kam ndaj jush, është një detyrim që ne e kemi ndaj gjithë kombit shqiptar dhe ndaj Republikës sonë. Këtë detyrë do ta përmbushim e s’na ndal dot askush, sepse sytë, veshët, mendjen, zemrën i kemi të përqendruar te qëllimi ynë më sublim: përparimi i kombit tonë. Pa mbështetjen tuaj të qëndrueshme dhe masive nga çdo fshat e nga çdo qytet, nga çdo lagje e nga çdo familje, nga brenda vendit e nga diaspora, ne nuk do të mundeshim t’i kapërcenim vështirësitë e mëdha shoqërore e historike të cilat na janë shfaqur në të shkuarën tonë. Por me ndihmën tuaj, me bashkëpunim, me bashkëveprim të sinqertë me të gjithë ju, me sakrificë e me punë pa u dorëzuar asnjëherë, jam i sigurt se ne do të tejkalojmë çdo pengesë e çdo sfidë”, tha ai.
Në këtë situatë politike, publicisti Skënder Kapiti ka dalë në mbështetje të Kurtit, duke vlerësuar figurën dhe qasjen e tij në qeverisje.
Sipas Kapitit, Kurti dallon nga qeverisjet e mëparshme pasi nuk është i përfshirë në korrupsion apo keqpërdorim të pushtetit.