Kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka deklaruar se një bashkim i mundshëm me Partinë Demokratike të Kosovës do të kishte një efekt të madh elektoral.
Sipas tij, ky koalicion do të prodhonte një sinergji që do të përkthehej në rritje të konsiderueshme votash.
“PDK i merr 30-40 mijë vota shtesë për shkak të sinergjisë me Nismën,” u shpreh Limaj.
Ai tha i se ky mobilizim është i domosdoshëm për të fuqizuar alternativën opozitare dhe për të siguruar që asnjë votë e qytetarëve që kërkojnë ndryshim të mos shkojë dëm, por të shërbejë për fitoren e formacionit të përbashkët.
Ai paralajmëroi se do të nisë hapa konkretë zyrtarë për këtë bashkim, pavarësisht zërave kundërshtues brenda PDK-së, duke thënë se do të dërgojë edhe letër zyrtare për të shprehur vullnetin e tij.
“Ne jemi duke e shprehur vullnetin, duhet edhe prej anës tjetër – ka vullnet bëhet, nuk ka nuk bëhet. Këta njerëz që ne i dëgjuam (Ismaili, Çitaku e Gruda) – a ka a s’ka nuk e di. Ne nuk kemi pasur komunikim me Bedri Hamzën. Nga nesër unë do të komunikoj edhe me letër, të shpreh vullnetin që jam i gatshëm për një gjë të tillë ta bëjmë bashkë. Ta mobilizojmë votën, dhe duhet të largohemi nga kjo logjikë diferencuese ose përjashtuese. Ne nuk pëlqehemi nga të gjithë, as më pëlqejnë. Nëse nuk ka vullnet me u bë, gjithmonë gjenden arsye. Unë besoj që qeky vend ka nevojë për një ndryshim dhe qeverisje ndryshe“, u shpreh kreu i Nismës.
Madje, ai u shpreh se nuk do të kandidojë në këto zgjedhje nëse nuk bashkohet me PDK-në.
“Si Nismë, para tre muajsh e kemi marrë përgjigjen nga qytetari. Do të bëjmë opozitë jashtë Kuvendit”, tha ai në Debat Plus.