Nje email i brendshëm i Pentagonit përshkruan opsionet që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të ndëshkojnë aleatët e NATO-s që i konsideron të dështuar në mbështetjen e operacioneve amerikane në luftën me Iranin, raporton Reuters.
Sipas një zyrtari amerikan që foli për Reuters në kushte anonimiteti, ndër opsionet e diskutuara përfshihet edhe pezullimi i pjesëmarrjes së Spanjës në NATO, si dhe rishikimi i qëndrimit amerikan ndaj pretendimeve të Mbretërisë së Bashkuar mbi ishujt Falkland.
Dokumenti shpreh zhgënjim për atë që cilësohet si mungesë gatishmërie nga disa aleatë për t’i dhënë SHBA-së akses, të drejta bazash dhe fluturime mbi territor, të cilat konsiderohen “parakusht kyç për NATO-n”. Sipas zyrtarit, këto opsione po qarkullojnë në nivele të larta brenda Pentagonit.
Një nga propozimet përfshin largimin e vendeve “problematike” nga poste të rëndësishme brenda NATO-s.
Presidenti amerikan Donald Trump ka kritikuar ashpër aleatët për mosdërgimin e forcave detare për të ndihmuar në hapjen e Ngushticës së Hormuzit, që u mbyll për lundrimin ndërkombëtar pas nisjes së luftës më 28 shkurt. Ai ka lënë të kuptohet gjithashtu se po shqyrton mundësinë e tërheqjes së SHBA-së nga NATO, edhe pse emaili nuk rekomandon një hap të tillë dhe as mbylljen e bazave amerikane në Evropë.
I pyetur në lidhje me emailin, zëdhënësi i Pentagonit, Kingsley Wilson, tha: “Siç e ka thënë Presidenti Trump, pavarësisht gjithçkaje që Shtetet e Bashkuara kanë bërë për aleatët e tyre në NATO, ata nuk kanë qëndruar pranë nesh. Departamenti i Mbrojtjes do të sigurojë që presidenti të ketë mundësi të besueshme në mënyrë që aleatët të mos jenë më ‘tigra letre’, por të bëjnë detyrën e tyre. Nuk kemi komente të mëtejshme mbi diskutimet e brendshme mbi këtë çështje”, shtoi ai.
Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez minimizoi të premten një email të publikuar nga Pentagoni që sugjeronte se Spanja mund të ndëshkohet për mosmbështetjen e luftës në Iran duke i pezulluar anëtarësimin në NATO.
“Mos u shqetësoni. Ne po i përmbushim detyrimet tona ndaj NATO-s”, tha Sanchez me të mbërritur në një samit të liderëve të BE-së në Qipro.
“Pozicioni i qeverisë spanjolle është i qartë: bashkëpunim absolut me aleatët tanë, por gjithmonë brenda kuadrit të së drejtës ndërkombëtare”, shtoi Sanchez, ndërsa iu drejtua një grupi më të madh gazetarësh.
Kryeministri nuk pranoi të diskutonte përmbajtjen specifike të dokumentit të rrjedhur të Pentagonit, i cili u raportua për herë të parë nga Reuters , duke këmbëngulur se qeveria e tij “nuk komenton mbi emailet, por mbi dokumentet zyrtare dhe qëndrimet e marra, në këtë rast, nga Shtetet e Bashkuara”.
Emaili, i cili iu përshkrua Reuters nga një zyrtar amerikan, përbëhet nga një sërë masash politike që administrata e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, mund të miratojë për të ndëshkuar aleatët e NATO-s, të cilët Uashingtoni i konsideron “të vështirë” ose që nuk e mbështesin mjaftueshëm luftën në Iran.
Spanja, një nga kundërshtarët më të zëshëm të konfliktit dhe një vend me prapambetje në shpenzimet e mbrojtjes të NATO-s, është veçuar për pezullim të plotë nga aleanca e mbrojtjes, duke reflektuar zemërimin e Trump ndaj Madridit. Presidenti u zemërua nga vendimi i Sanchez për të ndaluar avionët luftarakë amerikanë të përdorin baza ushtarake të operuara bashkërisht ose hapësirën ajrore spanjolle për të sulmuar Iranin dhe muajin e kaluar kërcënoi të ndërpresë të gjitha marrëdhëniet tregtare me vendin.
Traktati themelues i NATO-s nuk përfshin asnjë mekanizëm që do të lejonte pezullimin ose largimin e njërit prej anëtarëve të saj. Dokumenti parashikon vetëm tërheqjet vullnetare nga aleanca, të cilat kërkojnë një periudhë njoftimi njëvjeçare.